TIRANE – Qeveria e ka tërhequr për riformulin projekt/ligjin për shpifjen, në mënyrë që të mos krijohet asnjë lloj paqartësie.
Në faqen Transparenca.al, qeveria ka hedhur poshtë deklaratat e PD-së, duke theksuar se është kërkuar vetëm kriminalizimi me ligj i shpifjes për shkak të detyrës, për çdo rast kur akuzat e bëra nga një përfaqësues i zgjedhur i popullit ose i një partie politike parlamentare janë akuza penalisht shqetësuese për opinionin publik.

“Në të kundërt nga ajo çfarë pretendon Partia Demokratike, ashtu edhe siç Kryeministri ka pohuar, është kërkuar vetëm kriminalizimi me ligj i shpifjes për shkak të detyrës, për çdo rast kur akuzat e bëra nga një përfaqësues i zgjedhur i popullit ose i një partie politike parlamentare janë akuza penalisht shqetësuese për opinionin publik. Duke qenë se formulimi i projektligjit linte mesa duket hapësirë për të keqinterpretuar dhe përfshirë edhe median në objektin e vet, projektligji është tërhequr për t’u riformuluar në mënyrë që të mos krijohet asnjë lloj paqartësie.
Arsyen dhe objektin e kërkesës për të kriminalizuar shpifjen për shkak të detyrës të përfaqësuesve të zgjedhur të popullit, ose partive politike parlamentare, Kryeministri Rama e ka shprehur qartësisht në fjalën e tij në seancën parlamentare të datës 12 shkurt 2015.
Më poshtë, mund të lexoni transkriptin e kësaj fjale: “Ne do të kërkojmë kriminalizimin një orë e më parë me ligj të shpifjes për shkak të detyrës për çdo rast kur akuzat e bëra nga një përfaqësues i zgjedhur i popullit ose i një partie politike parlamentare janë akuza penalisht shqetësuese për opinionin publik.”- thuhet në reagimin e qeverisë.

Partia Demokratike pretendon se projektligji i ri për kriminalizimin e shpifjes, synon të godasë median e lirë si dhe opinionin e çdo qytetari ndaj mazhorancës, duke i ndjekur penalisht këta të fundit.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: