TIRANE- Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për uljen e pragut të pataksueshëm në masën 22 euro për blerjet online dhe 45 euro për dërgesat personale me postë. Me vendimit e sotëm të Qeverisë, ulet pragu për blerjet online nga interneti dhe mallrat për përdorim personal që dërgohet me postë nga jashtë vendit.

Më parë blerjet dhe dërgesat deri në 150 euro përjashtoheshin nga TVSH dhe taksa doganore, ndërsa pas këtij ndryshimi, çdo person që bën një blerje online me vlerë më shumë se 22 euro do t’i duhet të paguajë 20% tatim mbi vlerën e shtuar, si dhe një tarifë doganore në varësi të origjinës së mallit.

Për shembull për një blerje me vlerë 50 euro, do të duhet të paguani 10 euro TVSH plus taksën doganore për mallin.

VENDIMI I QEVERISE
VENDIM PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.919, DATË 29.12.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E DISPOZITAVE ZBATUESE TË LIGJIT NR.102/2014, DATË 31.7.2014, “KODI DOGANOR I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË””

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 9, 10, 40 deri 42, 47, 119, pika 7, 149, 150 deri 152, 153, pikat 1, 2 e 3, 154, 161 deri 168, 169, 174, 175, 176, 177, 184 e 188, të ligjit nr.102/2014, “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në kreun 2, “Përjashtimi nga detyrimet e importit”, seksioni 5, “Dërgesat me vlerë të papërfillshme”, të vendimit nr.919, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave, neni 116, “Mallra me vlerë të papërfillshme”, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 116
Mallra me vlerë të papërfillshme

1. Në përputhje me nenin 117, çdo dërgesë mallrash me karakter jotregtar, e përbërë nga mallra me vlerë të papërfillshme, të dërguara drejtpërdrejt nga një vend tjetër te një marrës në Republikën e Shqipërisë, përjashtohet nga detyrimet e importit.

2. Për qëllime të pikës 1, mallra me vlerë të papërfillshme janë:

a) mallrat e blera nëpërmjet porosisë nga interneti, që importohen nëpërmjet dërgesave postare, vlera e të cilave nuk kalon vlerën ekuivalente në lekë të shumës 22 euro;
b) dërgesat e mallrave nga një individ jashtë Republikës së Shqipërisë për një individ në Republikën e Shqipërisë, të një natyre rastësore, pa pagesë dhe që përmbajnë vetëm mallrat e destinuara për përdorim personal ose familjar prej marrësit, vlera e të cilave nuk e kalon vlerën ekuivalente në lekë të shumës 45 euro.”.

2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: