Nga: ENIDA HIMAJ*
TIRANE – Etleva Kelo prej 40 vitesh është një ndër sportistet shqiptare që merret me qitje. Prej shtatorit të këtij viti, ajo është larguar nga puna pas konflikteve që ka pasur me trajneren e saj, Shpresa Kotrin. Etleva rrëfen për “Gazetën Shqiptare” se Kotri e ka mashtruar, duke i marrë çdo muaj 100 mijë lekë të vjetra, duke i thënë se shkonin për trajnimin e qitësve. E drejtuar te të gjitha instancat që nga federata, bashkia, madje dhe prokuroria dhe Krimi Ekonomik, Etleva shprehet se ende nuk ka gjetur një zgjidhje. Edhe pse me rezultate të mira si qitëse, që prej shtatorit ajo është larg profesionit. Motivacioni sipas saj është hakmarrja e trajneres, pas zbulimit të këtij skandali korrupsioni.
Etleva prej vitesh jeni një qitëse profesioniste, çfarë konfliktesh keni pasur që ju kanë larguar nga profesioni juaj?
Unë me profesion jam qitëse prej 40 vitesh tashmë. Në fillim isha me Partizanin dhe që kur u shkri kjo skuadër, kalova me Tiranën. Aty kam bërë dhe karrierën time, ku kam pasur rezultate të larta si qitëse profesioniste. Në momentin që bashkia deklaroi se do të mbante 250 mijë lekë të vjetra trajtime për ne, trajnerja jonë na thoshte që janë 5 trajnime për t’u bërë dhe do të ndihmonin njëri-tjetrit me lekë. Pra, unë do të paguaja muaj për muaj lekët që do të shkonim për 5 trajnimet tona. Dhe muaj për muaj unë personalisht i çoja 100 mijë lekë të vjetra në muaj trajneres sonë, me idenë se këto lekë shkonin për këto trajnime që unë e dija që kishin nisur të kryheshin. Kam marrë vesh para dy vitesh që këto lekë që ne të gjithë jepnim, shkonin në xhepin e trajneres dhe jo për trajnimet. Pra, është një korrupsion i pastër.
Kush është personi të cilin ju e akuzoni për korrupsion dhe çfarë posti mban ajo?
Bëhet fjalë për Shpresa Kotrin. Ka qenë një sportiste dhe tani është bërë trajnere me nën orare për meshkujt dhe për femrat. Është ky personi që çdo muaj më kërkonte 100 mijë lekë që t’ia kaloja asaj. Dhe kjo nuk është thjesht ajo që them unë, por e kam me fakte. Kam të gjitha mesazhet që kam shkëmbyer me të në “Facebook”, ku më kërkonte shpesh lekët. Kjo është dhe prova më e fortë që kam ndaj saj.
Prej sa vitesh ju dhe kolegët tuaj i keni dërguar lekët?
Tre vjet. Unë së bashku me tre sportistë të tjerë i kemi bërë dërgesat të rregullta çdo muaj nga 100 mijë lekë me idenë se po paguanim lekët e trajnimit.
Kur e morët vesh se lekët tuaja ishin përvetësuar nga trajnerja, si reaguat, a e denoncuat?
Patjetër që po. Fillimisht shkova në bashki, takova kryetarin Basha, që më tha që të rikthehesha menjëherë në punë dhe për drejtorin tonë dha paralajmërim për pushim nga puna.
Pa shkuar në bashki, a patët një ballafaqim mes jush dhe Shpresës?
Po, na ka mbledhur bashkë shefi i klubit ku jemi ballafaquar për këtë çështje dhe ajo natyrisht që ka mohuar gjithçka. Më pas Shpresa e ktheu pllakën dhe e pranoi që unë i dërgoja çdo muaj 100 mijë lekë, por u justifikua se unë ia kisha borxh ato lekë dhe se nuk kishte lidhje me trajtimet.
Aktualisht ju vazhdoni si qitëse?
Jo, sepse trajnerja për hakmarrje ma hoqi licencimin. Madje, kam shkuar dhe në federatë për licencimin dhe më kanë thënë që nuk e bëjnë dot ata.
Ligjërisht cili ishte motivacioni i largimit tuaj nga puna?
Ishte hakmarrja e saj e plotë, asnjë motivacion. Në garën e fundit që u organizua, unë shkova edhe pse isha pa licencim dhe më futën vetëm për rezultatet e mira që kisha. Dhe në stërvitje kur shkoja më trajtonte shumë keq, nuk më jepte as bazën materiale dhe licencimin e garës e kam kryer me parat e mia. Rezultatet e mia ishin gjithnjë të mira, madje kam marrë vendin e dytë në rang kombëtar. Nga shtatori deri më tani më ka lënë jashtë sportit, ku dhe kam humbur dy konkurrime shumë të rëndësishme në rang ndërkombëtare.
Çfarë ju kanë thënë në prokurori, si po vijon çështja juaj?
Është bërë një vit që kur e kam çuar çështjen dhe në prokurori dhe asgjë nuk ka ndodhur. Unë si paditëse kam dëshmuar, megjithatë nuk është marrë ende asnjë masë. E vetmja gjë që unë kërkoj është drejtësia.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: