Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi, ka reaguar në Facebook në lidhje me sigurinë ushqimore, pas denoncimit të ish-ministrit të LSI Edmond Panariti për qumështin me substanca kancerogjene.

Panariti tha se nëse provohen analizat e studimit të AFI, atëherë kjo çështje është mjaft serioze, pasi rrezikohet jeta e konsumatorëve.

“Nëse këto analiza të AFI janë të vërteta dhe të bazuara në analiza të certifikuara, atëherë kjo është një situatë alarmante dhe rrezik i lartë për konsumatorët. Në radhë të parë ky institucion duhet të bëjë publike analizat. AKU dhe Ministria e Bujqësisë duhet të bllokojë këto produkte deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes”- tha Panariti.

Nga ana tjetër ministri aktual Peleshi ka paralajmëruar se ashtu sic u bë ndëhyrje radikale me mishin, e njëjta gjë do të bëhet edhe me qumështin.

Pas raportit të shoqatës Albanian Food Industry, ku nga 8 produkte të qumështit dy prej tyre rezultuan me aflatoksinë, Peleshi njoftoi se i është kërkuar institucioneve të verifikojnë situatën e qumështit.

“Sistemi i sigurisë ushqimore në vend nuk ka qënë dhe nuk është perfekt. Pikërisht sepse bëhet fjalë për siguri ushqimore ndërhyrja duhet të jetë radikale. Ashtu sic u bë dhe po vazhdon të bëhet me ciklin e mishit, sikurse e kemi lajmëruar edhe më përpara do të ndërhyjmë në mënyrë po aq radikale edhe në ciklin e grumbullimit dhe përpunimit të qumështit.

Duke marë shkas edhe nga raporti i AFI, i kemi kërkuar institucioneve tona, laboratorit të referencës të ISUV dhe AKU që të verifikojnë situatën e qumështit dhe të ndërtojnë mbi këtë bazë planin për garantimin e standarteve dhe sigurisë ushqimore për produktet me origjinë shtazore dhe jo vetëm,” shkruan Peleshi në Facebook

 (e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb