TIRANE– Pas statusit në Facebook, ku ngriti alarmin për qumështin vendas i cili ka substancë kancerogjene, ish ministri i Bujqësisë ka folur për çështjen në një lidhje telefonike për News24. Panariti tha se nëse provohen analizat e studimit të AFI, atëherë kjo çështje është mjaft serioze, pasi rrezikohet jeta e konsumatorëve.

“Nëse këto analiza të AFI janë të vërteta dhe të bazuara në analiza të certifikuara, atëherë kjo është një situatë alarmante dhe rrezik i lartë për konsumatorët. Në radhë të parë ky institucion duhet të bëjë publike analizat. AKU dhe Ministria e Bujqësisë duhet të bllokojë këto produkte deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes”- tha Panariti.

Ndërkohë i pyetur nëse ka pasur raste të qumështit me aflatoksinë në kohën kur ai ishte ministër, Panariti tha se janë denoncuar të gjitha rastet dhe janë marrë masat. Ai u shpreh se Ministria e Bujqësisë dhe AKU duhet të bllokojnë këto produkte nga tregu deri në zbardhjen e së vërtetës.

“Ne kemi denoncuar dhe investiguar çdo ndotës në zinxhirin ushqimor. Ministria duhet të shohë këto produkte dhe të marrë monstra për t’i analizuar. Duhet të dalë e vërteta. Këto analiza duhet të provohen dhe produktet e përlyera duhet të tërhiqen nga tregu”- tha Panariti.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: