ELBASAN– Një 42-vjeçar është vënë në pranga nga policia mbrëmjen e djeshme, pasi ui gjet një armë zjarri pa leje. Ndalimi i shtetasit Lulzim Cekani u bë gjatë një aksioni të shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, të mbështetura nga “Shqiponjat” dhe FNSH-ja, në disa lokale të qytetit pas telefonatave të ardhura nga qytetarët.

Gjatë kontrollit fizik të ushtruar në ambientet e një lokali, në lagjen “Brigada e XVII Sulmuese”, 42-vjeçarut Cekani i është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë me kalibër 9 mm.

Po gjatë kontrolleve të ushtruara gjatë mbrëmjes dhe orëve të para të mëngjesit, janë shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë në Elbasan 8 persona.

Ndërkohë kontrollet kanë vijuar dhe nga Policia Rrugore për evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të Kodit Rrugor, ku gjatë testeve për alkool, 10 drejtuesve te mjeteve, që drejtonin mjetin nën efektin e alkoolit, u është tërhequr Leja e Drejtimit, për të dalë në OASH.

Sakaq, shtetasi Kamber L., 33 vjeç, banues në Elbasan, është arrestuar pasi është konstatuar nga shërbimet e Policisë Rrugore, duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur.

Policia e Elbasanit thekson se kontrolle të tilla do të vijojnë edhe në javët e ardhshme, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb