TIRANE- Pas braktisjes së Komisionit të Sigurisë, zv/kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, u shpreh se ishte i pavlerë qëndrimi në këtë mbledhje pas mungesës së vullnetit të shumicës për zbardhjen e të vërtetës mbi skandalin e mosfunksionimit të radarëve.

Në dalje të godinës së Kryesisë së Kuvendit, Rama tha se kjo është një çështje që prek sigurinë kombëtare, dhe prandaj propozoi një cikël seancash dëgjimore me kryeprokurorin Adriatik Llalla, drejtorin e përgjithshëm të Policisë Shtetit, Haki Çako dhe kreun e SHISH-it, Visho Ajazi Lika.

Por kjo kërkesë e zv/kryetarit të LSI-së është kundërshtuar nga kryetarja e këtij komisioni, Ermonela Felaj.

“Propozova në rend dite një cikël seancash dëgjimore me drejtorin e përgjithshëm të Policisë Shtetit, meqë është i pari që e ka denoncuar këtë problem, drejtorin e SHISH dhe kryeprokurorin. Për rëndësinë që merr si çështje për sigurinë kombëtare në monitorimin e hapësirës detare. Qëndrimi kundër propozimit tim dëshmon papërgjeshmërinë, mungesë vullneti nga ana e shumicës, por ka nga ata që janë të interesuar të kontrolli civil mbi forcat e armatosura. Kur ka mungesë angazhimi për të garantuar transparencën dhe në kushtet kur mungesa e vullnetit të shumicës është bërë evidente të qëndroje në atë komision ishte e pavlefshme. LSI është e vendosur në çdo hap të angazhimit për të zbardhur të vërtetën e mosfunksionimit të radarëve që janë fikur apo që janë komanduar nga grupet e trafikantëve të drogës”,- tha Luan Rama.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: