Për Marko Radasin, ndeshja kundër Mamurrasit ka qenë më shumë se e veçantë. Jo për shkak të rezultatit, por prej shiritit. Kroati u “gradua” kapiten i ekipit prej mungesave të shumta dhe ky fakt e ka motivuar ndjeshëm mbrojtësin. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, ai analizon edhe startin me Flamurtarin, ndërsa e thotë hapur që Skënderbeu i tij do të shpallet kampion.

Marko, ishit kapiten në ndeshjen e Kupës. Si u ndjetë?
Të them të drejtën, pavarësisht rëndësisë së takimit, ka qenë një ndjesi e veçantë për mua. Të mbash shiritin është një përgjegjësi shumë e madhe. Jam i lumtur që m’u dha sërish mundësia. Kjo tregon edhe një herë lidhjen e fortë që kam unë me ekipin e Skënderbeut.

Tashmë fillon sezoni i vërtetë. A është gati Skënderbeu që t’i përballojë tri kompeticione?
Po, kemi hyrë në momentin më të vërtetë të sezonit. Do të kemi shumë ngarkesë dhe kjo është një gjë që dihet tashmë, por ne jemi mësuar. E treguam edhe para dy sezonesh, se pavarësisht impenjimit në Europë, fitojmë edhe titullin. Kështu do të veprojmë edhe këtë vit. Tani do të jetë e vështirë kjo dihet, por ne jemi të përqendruar për ta arritur.

Si duket ekipi krahasuar me atë të dy sezoneve më parë?
Është një krahasim që nuk mund ta bëj, qoftë se ka shumë ndryshime, por edhe për respekt të ish-shokëve të ekipit. Ajo që mund të them është se kemi një ekip shumë të fortë dhe kemi shumë dëshirë për të fituar e për të rikthyer titullin në Korçë. Ky është ndryshimi i madh nga sezonet e tjera.

Gjithçka nis me Flamurtarin. Si e shikoni këtë takim?
Si gjithmonë ndeshjet e para janë më të vështira. Kjo për faktin se Flamurtari ka ndryshuar shumë nga sezoni i kaluar. Ka një tjetër përbërje dhe nuk kemi shumë informacion për lojën e tyre. Por që gjithsesi do të duhet të jemi shumë të përqendruar në fushë dhe të japim maksimumin. Ajo që ka më shumë rëndësi është fakti se ekipi do të hyjë në fushë për fitore. Ai është i vetmi rezultat që na shkon përshtat, jo vetëm se luajmë para tifozëve, por sepse jemi Skënderbeu.

Pas tri ditësh luani edhe një tjetër takim në Europë, këtë herë me Dinamon e Kievit…
Vlen i njëjti konstatim edhe për këtë kompeticion. Është ndeshja e parë dhe ka shumë rëndësi paraqitja jonë. Fillimi i mirë është diçka që të jep shumë dorë në vijim. Ndërsa për sa i përket kundërshtarit, gjërat ndryshojnë. Dinamoja e Kievit është një ekip shumë i fortë. Do të shkojmë atje dhe do të mundohemi të marrim një rezultat pozitiv. Kjo do të na ndihmonte shumë për vazhdimësinë.

Si e shikoni garën këtë sezon dhe cilët do të jenë rivalët tuaj?
Do të jetë një kampionat i egër, siç ka qenë çdo vit. Shoh sërish ekipe mjaft të mira dhe rrjedhimisht kampionat të fortë. Gjithsesi, besoj se në garë do të jenë tri ekipet që ishin edhe vjet. Pavarësisht se duhen pasur kujdes edhe nga ekipe si Flamurtari, Teuta, Laçi apo Vllaznia, që kanë bërë shumë ndryshime. Gjithsesi, duhet të kalojnë disa javë për të parë rendimentin e rivalëve.

Po nga Europa çfarë prisni?
Ne objektiv kemi kampionatin dhe atje jemi më të përqendruar, por edhe Europën nuk do të lëmë pas dore. Grupi është i fortë, pasi të gjitha ekipet janë të forta. Gjithsesi, mund të them se Skënderbeu nuk del pa pikë në ndeshjen e parë./panoramasport/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: