Autoritetet italiane kanë dhënë sot dënimin pir kreun e një grupi kriminal të përpunimit dhe shitjes së heroinës, aktivitet i shkatërruar 2 vite më parë në Parma. Koka e këtij grupi, Gëzim Hasa është dënuar me 8 vite burg dhe një gjobë prej 22 mijë eurosh.

Pas vuajtjes së dënimit ai do të dëbohet nga Italia. Ndërkohë disa anëtarë të tjerë të kësaj bande kanë marrë dënime të lehta. Po ashtu seanca gjyqësore do të vazhdojë për anëtarët e tjerë të bandës.

OPERACIONI
Punëtorë me pamje modeste, gati anonimë. Kështu përshkruhej pamja e Artur Bregut nga karabinierët, të cilët shtonin se ai dukej një person i edukuar, i integruar në mënyrë perfekte në shoqëri aq sa fliste mirë edhe me dialekt. Por pas kësaj shfaqjeje normaliteti fshihej një grup kriminal që kishte ngritur një perandori të përpunimit të heroinës.

Bregu sipas hetimeve, ishte koordinatori i grupit prej 10 personave të ndaluar nga policia italiane.
Ashtu si në filmin e Denzel Washington “American Gangster”, ka qenë pikërisht 33-vjeçari që i këshillonte kolegët se si të silleshin: mos merrni kot, mos bëni shpenzime të çmendura! Jetonin në mënyrë të qetë, pavarësisht milionave që sipas hetimeve vinin lehtësisht nga aktiviteti kriminal.

Karabinierët kanë vlerësuar një xhiro prej më shumë se 20 milion eurosh. Shuma i referohet 60 kilogramëve heroinë të pastër që banda ka arritur ta importojë nga Shqipëria ose nga Europa Lindore në Parma, zemra e aktivitetit. Pas përpunimit kanë dalë plot 480 kilogramë në merkaton e rrugës.
Një lum pluhuri i bardhë i destinuar jo vetëm për rrethinat por edhe provincat afër dhe pjesën tjetër të Italisë. Oficerët kujtojnë dërgesa të Bregut me peshë 15 kilogramë si drejt Milanos ashtu edhe drejt Leçes. Por shpërndarja ka prekur edhe Firenzen, Riminin dhe Astin.

Operacioni “Përzierja” e ka marrë emrin nga sekuestrimi i 100 kilogramëve me substancë homonime, të gjetura në makinën e Marcello Panaritit, një tarantez, 36-vjeçar, i ndaluar në Parma në vitin 2013. Në momentin e parë, u duk se bëhej fjalë për drogë, por hetimet dhe analizat e mëtejshme të RIS, pohuan se ishte një përzierje paracetamoli dhe kafeine.

Një sasi gjigande që drejtoi antenat e hetuesve. Nga Panariti shkuan drejt Bregut, nga shqiptari tek pjesa tjetër e rrjetit.

Goditja finale erdhi natën e 31 marsit të 2014-ës. Blici nisi në një shtëpi në fermë në zonën industriale të Parmës.
Në brendësi forcat ushtarake kanë gjetur një laborator të pajisur me të gjitha mjetet, që nga rafineria deri tek pluhuri i bardhë. Në atë bastisje janë sekuestruar 13 kg heroinë, 3 kg kokainë dhe 100 kg substancë përzierje. Po kështu u gjetën edhe 13 mijë euro cash. Karabinierët arrestuan 5 persona në flagrancë.

Hetimet kanë zbuluar një punishte të mirëfilltë heroine, një organizim industrial, të vëmendshëm në çdo detaj, me disa anëtarë që prej vitit 2009. Nuk i lihej asgjë rastësisë. Për të përzier drogën shërbenin kimistë të ardhur nga Shqipëria, që nuk liheshin asnjëherë vetëm por gjithmonë të shoqëruar.

Një skenar perfekt. Edhe autoveturat e përdorura nga banda përdoreshin me radhë për të shmangur tërheqjen e vëmendjes. Gjithkush kishte një detyrë. Gëzim Hasa, 30 vjeç dhe Denis Tafili, 29 vjeç policë në Tiranë u identifikuan si kimistët. Tommaso Villirillo, një kalabrez 37-vjeçar, merrej me shpërndarjen.

TË ARRESTUARIT
Ishin 10 personat e arrestuar për këtë aktivitet kriminal.
1- Artur Bregu, i lindur në Shqipëri në 1981, banues në Brescello, i burgosur në burgun e Parmës;
2- Marcello Panariti, lindur në Taranto në 1980, banues në Colorno;
3- Velino Koroveshi, lindur në Shqipëri në 1990, banues në Arma di Taggia (IM);
4- Lauert Greca, lindur në Shqipëri në 1990, rezident në Parma;
5- Gëzim Hasa, lindur në Shqipëri në 1984, i burgosur në burgun e Parmas
6- Denis Tafili, lindur në Shqipëri në 1985, i burgosur në burgun e Parmas
7- Davide Cavalli, lindur në Parma në 1971, rezident në Colorno, në arrest shtëpie;
8- Ded Bajraktari, lindur në Shqipëri në 1991, rezident në Colorno;
9- Tommaso Villirillo, lindur në Cutro në 1977, rezident në Colorno;
10- Bledar Brahimi, lindur në Shqipëri në 1986, rezident në Colorno

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: