TIRANE– Kryeministri Edi Rama bëri një tjetër premtim për familjarët e 4 viktimave të “21 Janarit” 6 vite pas vrasjes së tyre në Bulevard. Ai deklaroi se çështja e tyre do hapet edhe në Strasburg, me qëllim që “21 janari” të njihet edhe “de juro” si krim shtetëror.

“Rëndësi sot ka të njohim përgjegjësinë për krimin shtetëror të 21 janarit, ne jemi të vendosur ta njohim de juro edhe në Strasburg, për t’i dhënë mundësi rihapjes së çështjes. Rihapja e saj në kushtet e drejtësisë së reformuar nuk mund të përfundojë si herën e parë, siç e përfunduan gjykatat e korruptuara të këtij vendi”,- tha Rama në takimin me familjarët e 4 viktimave.

“21 janar një nga ato momente që krijojnë një peng dhe që nuk janë asnjëherë të lehta për t’u zbardhur dhe për të çliruar pengun që krijojnë.”, vijoi ai.

Mes të tjerash, Rama theksoi se nuk do të ketë më si ai kryeministër, dhe Forca Speciale që t’i jepet e drejta që të marrin jetë njerëzit për të mbrojtur godinën po as përplasje të thella institucionale.
“Duhet të ndihmojmë për hendekun që është hapur në mes të Bulevardit mes vendit dhe drejtësisë. Sot në Bulevard përveç godinës së Kryeministrisë, pamjet kanë ndryshuar. Janë hequr kangjellat e larta që e bënin kryeministrin një të burgosur të cilësisë së veçantë që ruhej prej popullit. Godina është hapur dhe kati i parë i saj i përket qytetarëve, artit të kulturës. Debatin dhe leksioneve, nxënësve dhe studentëve. Askush sot nuk ka më frikë të protestojë para asaj godine, për gjithçka që e çmon të rëndësishme për të protestuar me apo pa të drejtë në këndvështrimin e atyre që janë brenda godinës, por me bindje se në fund e drejta e secilit për të protestuar është një e drejtë jo vetëm e fituar por dhe e pacenueshme. Nuk mund të imagjinohet më se nga dritaret e godinë mund të shkrehen plumba në urdhër të kryeministrit, si përbuzës i qytetarëve që duhet t’i shpërbej, pavarësisht se e kanë votuar apo jo. Nuk do ketë më kurrë jo vetëm as si ai kryeministër, apo Forcë Speciale e Rendi apo Sigurie, që t’i japë të drejtën që të marrë jetë njerëzit për të mbrojtur godinën po as përplasje të thella institucionale si ato që kulmuan pas zbrazjes së Bulevardit dhe tërheqjes së 4 trupave prej tij.”, pohoi kryeministri.

Ashtu siç e ka ripërsëritur dhe më herët, kryeministri Rama tha se dhe qeveria e tij ka bërë gabime, pro kurrsesi jo të qëllimshme.

“Ne nuk jemi të përsosur. Me siguri në rrugën tonë shumë të vështirë të qeverisjes pas, ne i kemi bërë gabimet tona. Por sot në këtë moment solemn, dua ta përsëris se askush nuk mund të prodhojë efektit se kjo qeveri nuk ka bërë asnjëherë gabime të qëllimshme. Në asnjë vendim tonin, ne nuk e kemi përdorur kundër interesit të vendit, të popullit në tërësi, apo qoftë kundër një individi. Nëse kemi marrë vendime të gabuara, nuk kanë qenë gabime të qëllimshme. Kemi ndërmarrë reforma për të ndriçuar rrugët e së ardhmes, për Shqipërinë e gjeneratës tjetër, për Shqipërinë që nuk e kishim. Ata që sot na mungojnë këtu dhe që humbën jetën e tyre në një protestë kuptimplotë jo thjesht apo jo për të ndërruar një qeveri në një tjetër, pro për të kërkuar një ndryshim. Reforma që kemi ndërmarrë janë të thella, janë të dhimbshme dhe kostot e reformave blejnë sipas shkallëve. Në radhë të parë tek më të dobëtit, por nuk ka një rrugë tjetër.”, tha ai.

Në fund të fjalimit të tij, kryeministri shtoi se drejtësia për vendimet shtetërore të 21 janarit do vijë, ndërsa shtoi se kjo ditë po afrohet.

“Të gjithë ata që protestuan në 21 Janar, apo ata që nuk ishin, apo ata që nuk e kuptuan se përse protestuan, ne jemi një qeveri për njerëzit, ju siguroj se sot dita e drejtësisë për Aleksin, Ziverin, Hekuranin, apo dhe Faikun, është më afër se 21 janari i kaluar. Jo se ka kaluar një vit, por është më afër se jemi një vit më tepër në kërkim të drejtësisë. Por gjatë këtij vitit që ka kaluar nga 21 janari i vitit 2016- në 2017, ka ndodhur një ndryshim, ndryshimi i Kushtetutës dhe miratimi i një sërë ligjesh bashkë për t’ju treguar vendin drejtësisë. Nesër në sistemin e drejtësisë, gjyqtarët apo prokurorinë do jenë duke bërë diçka tjetër dhe jo këtë detyrë. Drejtësia për vendimet shtetërore të 21 janarit do vinë. Më herët sesa vonë ju do merrni frymë lirisht, sepse drejtësia nuk do u kthejë jetën të afërmeve tuaj. Por do pengohet rivrasja e tyre në çdo 21 janar.”, përfundoi Rama.
(ed.me/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: