TIRANE– Kryeministri Edi Rama ka shprehur sërish qëndrimin e tij për Bashkinë e Shkodrës dhe kryetaren e saj. Nga foltorja e Kuvendit, Rama hodhi poshtë akuzat e kryebashkiakes së Shkodrës, se “për këtë qytet nuk ka dhënë investime”, duke u shprehur se deri më tani është investuar për stadiumin, për muzeun “Marubi”, dhe teatrin “Migjeni”.

Kreu i Qeverisë theksoi se për të Bashkia e Shkodrës nuk është e kryetares, por e qytetarëve shkodranëve. Ai u shpreh se për sa kohë nuk paraqiten projekte serioze për kët bashki, nuk mund të ketë investim konkret.

“Dëgjova zonjën (deputeten Jorida Tabaku) që kishte bërë një llogari bashkitë e djathta e të majta, nuk e di ku e fut Shkodrën, por unë e di që investimet e bëra nga programi ynë i rilindjes në Shkodër janë më shumë se në gjithë Shqipërinë. Për mua Bashkia e Shkodrës, nuk është thjesht kryetarja e bashkisë, as buxheti që menaxhon ajo, por është bashkia e qytetarëve të Shkodrës. Nëse ne në Shkodër kemi financuar ndërtimin e stadiumit, të muzeut të Marubëve, rindërtimin e teatrit Migjeni, këto janë investime. E kam hënë dhe e përsëris nëse kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, dhe Bashkia e Shkodrës nuk kanë aftësinë të bëjnë projekte serioze, dhe t’i përgjigjen me standarde kërkesave të programit të Rilindjes Urbane, më vjen keq po nuk i mbështesim dot. S’kemi si t’i mbështesim. Sali po të prisja ty që të vija te plehrat, se pa të patur ty përpara s’flas dot për plehrat. Tani do flas, se ti je kompetenti për punë plehrash”, tha Rama.

JORIDA TABAKU REPLIKË RAMËS: TI NUK KUPTON NGA SHIFRAT

E menjëhershme ka qenë edhe replika e deputetes së PD-së, Jorida Tabaku. “Se sa bosh mund të jenë fjalët ndonjëherë vetëm sot e kuptova.
Që jeni të prirur të keqcitoni e kuptoj, po a nuk doni a nuk kuptoni këtë se marr vesh.
Unë thashë dhe i qëndroj asaj që thashë: me vjen mirë sa herë që Shqipëria përmendet mirë sidomos tani qe i keni nxirë faqen Shqipërisë me drogën e kanabis, dhe po pati një vlerësim në rritje tek WEF, por pati një përkeqësim drastik në indexin e korrupsionit e mbas 2013 dhe të taksave e këto duhet të jenë këmbana alarmi për qeverinë.
Që jetoni në një realitet paralel e kuptoj shumë mirë që kur thoni janë rritur pagat e pensionet, kur sipas Instat për herë të parë në 15 vite paga ka pësuar rënie reale me minus 1%.
Ndonëse buxheti u rishikua, të ardhurat ranë në 8 mujor me 22 mln Usd, këto janë shifrat e ky është realiteti. Unë as kam sharë, as kam përbaltur askënd asnjëherë se mënyra ime e të bërit politikë është shumë ndryshe nga ajo që praktikoni ju, por që raporti i BSH thotë që bankat e nivelit të dytë njohin si rrezikun real më të madh përkeqësimin e ekonomisë, apo dhe bankat e nivelit të dytë janë armik për ekonominë sic është PD?
E në lidhje me punësimin, për ata që i kuptojnë shifrat sigurisht, jo per ata që bëjnë propagandën tënde, rritje në punësim ka pasur bujqësia, keni marrë forcën jo-aktive në bujqësi e keni kategorizuar si të punësuar. Se sa është rritur punësimi këtë e dinë të rinjtë që sot enden rrugëve. Kjo sigurisht për ata që kuptojnë e merren me shifrat, jo për ata që nuk dinë e kuptojnë”, – u shpreh Tabaku.

SITUATA EKONOMIKE

Kryeministri u ndal edhe tek situata ekonomike në vend, ndërsa theksoi se raporti i Forumit Ekonomik Botëror vlerëson pozitivisht ekonominë shqiptare, duke e renditur 13 vende më mirë krahasuar me një vit më parë.

“Unë nuk kam dëgjuar asnjë prej nesh, që të flasë për begati për situatë rozë, apo t’u drejtohet njerëzve me kërkesën për të qenë të lumtur. Këto i dëgjonim kur qeverisnit ju,. Sot ne vazhdojmë të flasim me njerëzit me gjuhën e të vërtetave pa e fshehur që jemi larg së qenit në pikën ku mund ta konsiderojmë të kryer misionin tonë. Ju kam kërkuar shpesh në këtë sallë qe t’u referohemi palëve të treta që janë larg çdo influence të mundshme, qoftë nga mazhoranca, qoftë nga opozita, qoftë nga ajo influencë e botës imagjinarë që sipas jush komandon vendin.

Duhet të diskutojmë të debatojmë mbi disa referenca që nuk mund t’i kontestojë ku parlamentin apo kjo qeveri. Referenca ndërkombëtare. e dëgjoj me kuriozitet zonën parafolëse, dhe më mahnit mënyra e saj e të folur kot, dhe më mahnit këmbëngulja në këtë mision kotësie. Forumi Ekonomik Botëror është larg të qenit i influencueshëm nga ne. Ky Forum nxjerr një raport ky vlerëson Shqipërinë, duke e renditur 13 vite më parë krahasuar me një vit më parë. Kjo është për shkak se vendi ka zbatuar reforma me rëndësi.
Ne nuk presim që sipërmarrësit e mëdhenj të thotë me këtë qeveri taksat na u ulën. Por presim të thonë ne ishim më mirë kur paguanim më pak taksa, se padyshim kështu është më mirë”, u shpreh kryeministri.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: