VLORE- Kryeministri Edi Rama theksoi se viti i ardhshëm do të nisë me një ndryshim të ndjeshëm për ekonominë e bizneseve të vogla, të cilët do të çlirohen nga taksat dhe nga stresi që iu shkaktua nga administrata tatimore.

Gjatë fjalës së tij në aktivitetin “Të pastrojmë më tej Shqipërinë”, që u zhvillua në Vlorë, kryeministri Rama kritikoi administratën tatimore, që sipas tij, ka ende shumë për të bërë. Sipas shefit të qeverisë, “nga janari i vitit të ardhshëm inspektorët e tatimeve do të tërhiqen dhe nuk do ketë më drejtori tatimesh dhe zyra tatimesh anembanë Shqipërisë që do të lëshojnë nëpër dyqane armatat e tyre dhe do të vënë gjoba pa kriter”.

“Bizneset e vogla e fillojnë vitin e ardhshëm me një ndryshim shumë të ndjeshëm në ekonominë e tyre familjare. Nëse një dyqan ushqimor në një lagje me një familje të vetëpunësuar dhe me një xhiro vjetore 20 milionë lekë në vit, ka paguar 250 mijë lekë tarifë fikse, këto 250 mijë lekë do t’i mbajë për familjen e tij. Familje të tëra, 100 mijë në total, përfshirë dhe të punësuarit që kanë në to, do të çlirohen jo vetëm nga taksat, por dhe nga një stres i madh i shkaktuar nga një administratë tatimore që ka ende shumë për të bërë. Ne do t’i çlirojmë, të gjithë që merren me biznes.”- deklaroi Rama.

Më tej kryeministri bëri të ditur se zyrat e tatimeve do të kthehen në zyra konsulence, njësi në shërbim, për të asistuar bizneset në nevojat e tyre.

“Gjithë kontrolli do të bëhet në një mënyrë krejt të re, duke ndërtuar një sistem të teknologjisë së lartë dixhitale, që falë futjes në sistem të çdo biznesi përmes kasës i jep mundësi administratës, të marrë të dhëna për sjelljen dhe volumin e transaksioneve të çdo biznesi , nga më i vogli tek më i madhi. Eshtë po kompjuteri që jep alarm kur ka të dhëna kontradiktore.”- deklaroi kryeministri Rama.

Kryeministri Rama u ndal ndërkaq edhe tek ndryshimet që parashikon paketa fiskale e vitit të ardhshëm. Këto ndryshime kreu i Qeverisë i cilësoi si rezultat i procesit të formalizimit të ekonomisë, dhe jo si “gjeli i Saliut”.

“Kemi dhënë zgjidhje edhe për prindërit që punojnë deri mbasdite e pastaj lënë në dyqan djalin apo vajzën që kthehen nga shkolla, dhe për këtë kanë marrë rregullisht gjoba. Do pranojmë nëse janë aty fëmijët për të ndihmuar prindërit, janë zgjidhja e tyre. Ky nuk është si “gjeli i Saliut”, por rezultat i një procesi të gjatë që synon formalizimin e ekonomisë. Kjo është përgjigjja më e mire për ata që bëni kukuvajkën, medemek bashkimin me ata që vuanin pasojat duke drejtuar gishtin nga Qeveria”, tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se brenda vitit do të ardhshëm do të hiqet afrofeja, në mënyrë që të gjithë abonentët të vendosen në sistemin e matjes së energjisë.

“Do të heqim afrofenë brenda vitit të ardhshëm. Do të vendosen të gjithë tek sistemi i matjes. Nuk do të shkojnë më fatura afrofe edhe tek ata njerëz që mbase me të drejtë thonë s’kam qenë këtu e s’kam ndezur asnjë dritë”, tha Rama.

Kryeministri tha më tej se numri i vrasjeve në vend ka shënuar rënie, një tregues ky pozitiv krahasuar me vitet e kaluara.

“Kryefjala e çdo takimi kudo ku kam shkuar është krimi, krimi, krimi … një shtet i dorëzuar i gjithi tek krimi i të gjitha niveleve. Ky vit po mbyllet me 50% më pak vrasje krahasuar me çdo vit të tranzicionit. Ashtu sikundër policia e shtetit është kthyer në krye të detyrë dhe punon për shtetin. Nuk është policia që duam, por jam i bindur që do ia arrijmë të kemi një polici europiane. Por me përpjekjet e vazhduara do t’ia dalim. Më parë nuk hapej fare biseda pa i dhënë lekët e birrës. E pastaj fillohej të flihej, me policë që kapelën e përdornin për të grumbulluar farat që hanin. Edhe sot ka korrupsionin, por nuk janë të lehta rastet ku kjo ndodh. Pasi ka policë që sot të marrin e të çojnë në polici për korrupsion pasiv”, u shpreh kryeministri.

(er.nu/el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: