Kryeministri Edi Rama në “Komunikimin Javor” të kësaj të diele, foli për dy histori suksesi të qeverisë, të cilat sipas tij do ta ndihmojnë me patjetër vendin në çeljen e negociatave me Bashkimin Europian.

“Temë kryesore ishte takimi me drejtorin e BE për zgjerimin e ekipit të tij. Shqipëria po bën progres në drejtimin e duhur, objektivi për çeljen e negociatave mesin e vitit tjetër është plotësisht i arritshëm.

Nuk ka dyshime për 2 historitë e suksesit në vendin tonë të përshëndetur nga ndërkombëtarët

Së pari, zgjedhjet e 25-qershorit, Shqipëria ia doli pas shumë pengesave, si çadra apo refuzimi i zgjatur i opozitës. Fushata më e qetë dhe më pak e kushtueshme. Zgjedhjet janë konsideruar nga komuniteti ndërkombëtar në përputhje të plotë me standartet e Europës.

Propaganda kundër zgjedhjeve, e atyre që humbën, është thjeshtë shfaqje e vetëdobësisë së brendshme politike, morale e programore, që e cuan në humbje. Kështu rrezikojnë të humbin sërish e të dobësohen më shumë. Por është çështje e tyre. Jo e jona.

Së dyti ,rezultatet për crrënjosjen e sëmundjes së vjetër të kanabisit, dhe nxjerrjen e vendit tonë nga territoret e kultivimit të drogës. Nisi me asgjësimin e Lazaratit, e arritje në të gjithë vendin. Por këtë vit do të mbyllet me fitoren e shtetit  kundër krimit e drogës. Do ta vijojmë këtë luftë kundër rrjeteve që kanë përfituar nga droga, do identifikojmë e sekuestrojmë asetet e përfituara nga paratë e drogës, e të cojmë prapa hekurave të fortët. Kjo betejë ka nisur në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtare. S’do të ketë tolerancë. Opozita e përdor temën e krimit për të shuar vëmendjen nga humbja e vet. Përpjekje e dëshpëruar për një opozitë që rreket si e marrë për ta shfrytëzuar krimin për të mbjellë paqëndrueshmëri sociale.

Jemi zgjedhur nga shqiptarët për të mirëqeverisur vendin e synojmë rrugën e dialogut e bashkëpunimit me opozitën. Dialog me vullnetin e një pale nuk do ketë por ne s’do e humbasim durimin por do vijojmë t’i bëjmë thirrje opozitës që të bisedojmë për të mirën e vendit,” tha Rama.

 (e.f/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb