PARIS – Kryeministri Edi Rama iu bashkua sot Marshimit të Paqes, të miliona qytetarëve të botës, në sheshin “Republika” të Parisit, në përgjigje të vrasjeve terroriste të ndodhura në redaksinë e gazetës “Charlie Hebdo”, në Francë.

Në një prononcim për mediat shqiptare, pjesë e delegacionit shqiptar në Paris, kryeministri Rama theksoi se shqiptarët kanë zgjedhur tolerancën fetare dhe për ta është i patolerueshëm çdo konflikt fetar, që siç tha ai, nuk ka asnjë lidhje me fjalën e Profetëve, apo çfarë feja e kujtoqoftë frymëzon dhe inspiron.

“Të mos harrojmë se, nëse duam një shembull të qartë se si trajtohen kundërshtarët, se si trajtohen armiqtë, se si toleranca dhe paqja triumfon mbi dhunën dhe luftën, janë vetë episodet e jetës së Profetit Muhamed”- theksoi kryeministri.

I pyetur se sa imune është Shqipëria nga skenarë të tillë terroriste, shefi i qeverisë shqiptare tha: “Askush nuk është dritëshkurtër, që të flasim për imunitet të një vendi apo të një vendi tjetër. Në momentin që është goditur njeri nga vendet e familjes evropiane, e botës demokratike ku ne bëjmë pjesë, jemi goditur dhe ne drejtpërdrejtë, jo simbolikisht, por realisht, sepse goditen ato vlera dhe ato themele, mbi të cilat ne kemi vendosur të ndërtojmë jetën dhe të ardhmen tonë”.

Kryeministri u shpreh se delegacioni shqiptar dëshmoi në Paris se Shqipëria e vëllazërisë fetare është e vendosur të vazhdojë të mbajë lart flamurin e lirive, e të drejtave, dhe të barazisë mes të gjitha opinioneve dhe besimeve fetare.

“Të gjithë duhet të kuptojnë se nuk është goditur vetëm Parisi. Është goditur çdo vend që është i lidhur me vlerat që Franca përfaqëson, me vlerat e lirisë, të barazisë, të vëllazërimit që Franca ka mishëruar, në mënyrën e vet më të lavdishme. E nga ana tjetër, të gjithë duhet të kuptojnë që aktet mund të ndodhin këtu, mund të ndodhin kudo, por lufta kundër terrorizmit zhvillohet sot, në të gjithë vendet tona edhe kur aktet ndodhin jashtë vendeve tona. Ne jemi këtu për të dëshmuar se Shqipëria e vëllazërisë fetare është e vendosur të vazhdojë të mbajë lart flamurin e lirive, flamurin e të drejtave, flamurin e barazisë mes të gjitha opinioneve dhe besimeve dhe të mos bjerë në kurthin e urrejtjes, në kurthin e përçarjes, në kurthin e frikës, ku kjo mortje kërkon ta përfshijë botën tonë. Ky akt dhe kjo luftë dëshmon më së miri se përpjekja e armiqve të lirisë sonë, është një përpjekje që synon pikërisht përçarjen mes feve, ndërkohë që këta terroristë nuk kanë asnjë lidhje me fenë, nuk kanë asnjë lidhje me Profetin, nuk kanë asnjë lidhje me Zotin sepse nuk ka Zot, nuk ka Profet dhe nuk ka fe, që inkurajon vrasjen e njerëzve, që inkurajon përçarjen dhe që inkurajon shfarosjen e një pjese në emër të një pjese tjetër. Unë jam shumë krenar që sot këtu nuk jemi vetëm ne, si përfaqësues të qeverisë, por janë dhe përfaqësuesit e të katër besimeve kryesore në Shqipëri, dhe sigurisht edhe një grup gazetarësh dhe analistësh, njerëzish që luftojnë përditë në frontin e fjalës së lirë dhe të informimit të barabartë për njerëzit.”- deklaroi kryeministri Rama.

Dhjetëra liderë botërorë ishin pjesë e marshimit madhështor në Paris, në shenjë solidariteti dhe aleance kundër terrorizmit, dhe në mbështetje të vlerave të lirisë, barazisë dhe vëllazërimit. Kryeministri Edi Rama shoqërohej në marshim nga ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Erion Veliaj, përfaqësues të 4 komuniteteve fetare në vend, si dhe përfaqësues të medias, gazetarë dhe analistë. Delegacioni shqiptar zhvilloi homazhe pranë ndërtesës së revistës “Charlie Hebdo”, në nderim të 12 të vrarëve tragjikisht, duke vendosur edhe një kurorë me lule. Ndërkohë krerët e komuniteteve fetare shqiptare marshuan krah për krah në rrugët e Parisit, përmes duartrokitjeve të mijëra qytetarëve.

(er.nu/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: