TIRANË – Kryeministri Rama i ka bërë ftesë publikisht, kryetarit të FRD-së, Bamir Topit, që t’i bashkohet koalicionit të majtë në zgjedhjet vendore.

Pasi ka përfunduar konsultat me deputetët e qarqeve në PS këtë mbrëmje, Rama deklaroi për mediat “që në këtë koalicion ka ende vend, hapësirë, për të tjerë zëra dhe përvoja dhe këtu kam parasysh edhe Frymën e Re Demokratike, që me shumë konsideratë do ta ftoja të konsideronte bashkimin në këtë rrugë jo për të përputhur programet, por për të rritur spektrin e ideve dhe të alternativave për vendin.”

Po ashtu, Rama njoftoi se brenda 2-3 ditëve në vijim do të konsultohet edhe me PBDNJ-në e drejtuar nga Vangjel Dule. “Do të takohemi këto 2-3 ditë dhe do të shikojmë ku do të gjendemi, – tha ai, – se PBDNJ-ja është një aleate jona dhe pjesëmarrëse në qeverisjen e vendit.”

Kryeministri nuk dha asnjë emër kandidati të mundshëm për bashkinë e Tiranës, por konfirmoi se ka rënë dakord me deputetët për shumë emra. Sipas tij, përfundimi do të jepet pas konsultës me partnerët në qeverisje.

Lidhur me Bashkinë e Tiranë, Rama theksoi se kryetari aktual, Lulzim Basha, nuk mbahet mend në historikun e saj, as për mirë, as për keq dhe mendimi i tij ishte se “ashtu si hyni, ashtu doli: Kastravec,” duke përdorur, fjalor popullor.

I pyetur për kriteret në zgjedhjen e kandidatëve për këtë bashki, kreu socialist vuri në dukje se “jemi fokusuar shumë tek profili. Pra, në radhë të parë të identifikojmë profilin që qytetarët presin në këtë garë për Tiranën, që është garë për të ardhmen. Tirana ka 4 vjet që nuk qeveriset dhe në 21 qershor do të ndahet nga një kryetar bashkie, që nuk do të mbahet mend as për gabime, për asgjë.”

E në këtë pikë, Rama rrëfeu nga një detaj për ata që qeverisën Tiranën në vite: “Mjafton t’ju kujtoj se ka qenë dikur një Qemal Tafaj, të cilin asnjëri nga ju po as unë nuk e kemi njohur, por jam i bindur që të gjithë ju e dini që si Kryetar Komiteti vuri ca drita në Tiranë.

Për të vazhduar pastaj me kryebashkiakët e pas rënies së regjimit komunist, të cilët që nga i ndieri Sali Kelmendi që edhe ai për atë kohë bëri diçka dhe do të kujtohet për disa kioska dhe disa njësi shërbimi qoftesh e kështu me radhë, por diçka bëri.

Tek një tjetër që hapi një fazë të re ndërtimesh të kuturushme të cilat më shumë e rënduan sesa e zhvilluan qytetin, por prapë diçka bëri. Pastaj tek pjesa tjetër ku unë isha kryetar bashkie, nuk jam duke e komentuar këtu sot. Ndërkohë që tek ky katërvjeçar nuk ka asgjë, qoftë edhe gabim. Asgjë! Thjeshtë, ju e dini atë shprehjen, “ashtu hyni ashtu doli. Kastravec,” shtoi Kryeministri me ironi.

Ndërsa, takimet e sotme, kryetari i PS-së i konsideroi si “një proces shumë frytdhënës të një përmbledhjeje të të gjithë ndjeshmërive dhe opinioneve që çdo deputet ka sjellë nga të gjitha territoret e vendit. Kemi konsultuar shumë emra, propozime, kemi dakortësuar për një pjesë të konsiderueshme të tyre. Kuptohet që vendimmarrja përfundimtare do t’i takojë konsultimit me partnerët tanë, sepse e përsëris, bëhet fjalë për kandidatë që nuk i përkasin vetëm një force politike, por gjithë këtij koalicioni.”

Ai rrëfeu se prej disa muajsh “ne jemi futur në një proces të thellë anketimi publik. Kemi anketuar grupmoshat dhe shtresat e ndryshme sociale dhe sidomos komunitetet ku ka një kompleksitet më të madh dhe ku zgjedhja është më e madhe. Sot kemi rënë dakord për të bërë edhe disa anketime të tjera në disa pika ku kemi ende dilemë. Natyrisht, në këtë proces, Tirana ka zënë dhe vendin kryesor.”

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: