TIRANE- Kryeministri Edi Rama i është bashkuar paraditen e sotme konferencës për 25-vjetorin e Gjykatës Kushtetuese. Në fjalën e tij, kreu i qeverisë tha se ky institucion ka krijuar besueshmeri në sytë e të gjithëve, duke dhënë vendime të paanshme.

“pas një historie 50-vjeçare shkeljesh flagrante e sistemike të të drejtave të njeriut, ndryshimet demokratike sollën një ndryshim të madh. Në kuadër të këtyre ndryshimeve u krijuar edhe Gjykata Kushtetuese, një nga institucionet më të rëndësishme për garantimin e rendit kushtetues në Shqipëri. Gjatë veprimtarisë së saj që nga krijimi më 1992, Gjykata Kushtetuese është përballur me një sfidë të pazakonshme në vakumin e plotë të traditës, dhe përballë mijëra çështjesh të natyrave dhe përmbajtjeve të ndryshe, duke krijuar vit pas viti një traditë të pasur.

Vend për kritika me siguri mundtë ketë, dhe ka, por nëse ka një institucion të gjyqësorit shqiptar ku sot mund të hyhet pa të ardhur turp, është pikërisht Gjykata Kushtetuese. Nisur nga fakti se në një kohë të shkurtër kjo gjykatë ka qenë e detyruar të merrej me vendime shumë të rëndësishme, e vërteta është se ky organ është përpjekur të shfaqet i paanshëm në gjykimet e dhëna, dhe i ka siguruar imazhit të vet një pamje të besueshme në sytë e të gjithëve”, tha kryeministri Rama.

Kryeministri përmendi edhe Presidentin e Komisionit të Venecias si një bashkëpunëto të çmuar të Gjykatës Kushtetuese.

“I pranishëm në takim edhe një njeri që emrin e tij e ka të lidhur me historinë e zhvillimeve në Shqipëri, i nderuari Gianni Buquicchio dhe me thënë të drejtën pavarësisht se në institucionet tona punojmë me partnerë, jam shumë xheloz që punon me Gjykatën Kushtetuese. Jam i bindur se cilido që është ulur në karrigen e lartë në Gjykatës Kushtetuese do ta dëshmonte pavarësisht faktit që nuk është aspak komode, prania e komisionit të Venecias e bën shumë më të lehtë këtë detyrë të rëndë. Ju uroj të gjithë atyre që janë të pranishëm dhe që vijnë nga rruga e ndërtimit të mundimshëm të këtij institucioni themelor, çdo të mirë dhe atyre që janë në Gjykatës Kushtetuese çdo sukses në një rrugë të gjatë e të mundimshme për të zbatuar reformën në drejtësi”, deklaroi Kryeministri.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb