TIRANE- Reforma në Drejtësi i duhet vendit për t’i dhënë fund padrejtësisë me pronat. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama, gjatë aktivitetit të Agjencisë së Kthimit e Kompensimit të Pronave ku u prezantua ligji i ri për pronën, si edhe ambientet e reja të institucionit.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama adresoi kritika ndaj gjyqtarëve, ndërsa e konsideroi reformën në fushën e pronave si një kusht themelor për Shqipërinë europiane.

Rama tha se reforma e qeverisë synon t’i japë zgjidhje kaosit të krijuar prej vitesh në vend sa i takon çështjes së pronësisë. Sakaq, kreu i Qeverisë nuk ka ngurruar të drejtojë akuza të forcat ndaj gjykatave të vendit dhe gjykatësve të korruptuar.

Duke u shprehur se “ligji që fut në procesin e zbatimit reformën tonë të pronës, ka marrë bekimin e Venecias”, kryeministri theksoi se synohet t’i jepet fund padrejtësisë së bërë deri më tani me këtë çështje.

“Në 25 vite çështja u kokoleps si s’ka më keq. Ligji që fut në procesin e zbatimit reformën tonë të pronës jep zgjidhje përfundimtare për të gjithë, që ka marrë edhe bekimin e Venecias. Nëse reforma i duhet këtij vendi, A­ja është për t’i dhënë fund padrejtësisë për çështjen e pronës. Ça i kanë bërë pronës gjykatat e vendit nuk ia kanë bërë asnjë herë në shekuj asnjë pushtues, dhe çfarë i kanë bërë gjykatësit e korruptuar nuk ia ka bërë asnjë armik dhe s’do mund t’ja bënte asnjë armik sado i betuar i këtij vendi”, tha Rama.

Kryeministri tha se reforma në fushën e pronave është kusht themelor për Shqipëri evropiane, dhe “në progres raportin e këtij viti është nënvizuar progres dhe ligji i ri e shkund nga themelet sistemin e kalbur të njohjes së pronësisë”.

Ndërsa prezantoi ligjin si një reformë që i jep zgjidhje një herë e mirë çështjes së pronës në vendin tonë, drejtoresha e AKKP, listoi edhe sfidat e qeverisë, për të ardhmen, duke vënë theksin te kthimi i besimit të publikut.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: