TIRANE- Kryeministri Edi Rama ia ka dhënë përgjigje pyetjes së radhës së kryedemokratit Basha, se pse nuk flet më për Saimir Tahirin. Nga foltorja e Kuvendit, ai tha se kush shkel në dërrasë të kalbur duhet të përgjigjet para drejtësië.

Sakaq, ai i tha se s’mund të bëjë avokatin e Tahirit, “siç bëri Berisha me Bashën”.

“Më thua kam 4 javë që nuk flas për Saimir Tahirin. Por çfarë të them unë për Tahirin. Mua më takon të flas? Apo është detyra jote? Nuk është as e imja, e as e jotja, por është e atyre që po e hetojnë Tahirin dhe nuk të ka caktuar njeri ty të bësh as gazetarin, as prokurorin, as gjykatësin, dhe as gjykatën supreme. Po e bën sepse jo e vërteta, por pushteti është e vetmja gjë që të intereson. Dhe për pushtetin je në gjendje të bësh llum çdo gjë. Ndërkohë që unë të them që jemi shumë ndryshe, ne dhe ju, unë dhe ti. Ilir Beqja të ka ftuar në Gjykatë për ato që thua për të. Bën akuza penale, kriminalizon gjë njeri që tq del përpara, dhe pastaj mbrohesh si gazetar. Ta kesh të qartë, ta keni të qartë të gjithë, unë kam qenë dhe do jem gjithmonë ky. Unë bashkëpunëtorët i besoj të gjithë, dhe mbroj deri në fund idetë që ndajmë, punën që bëjmë. Por unë nuk jam avokati i asnjë bashkëpunëtori, kush prek në dërrasë të kalbur, të shkojë e të përgjigjet aty ku duhet të përgjigjet çdo njeri që ka besimin publik dhe prek në dërrasë të kalbur. Nuk e bëj dot për askënd atë që bëri Saliu për ty, kur u akuzove dhe u shmange me raport mjekësor dhe s’u paraqite fare”, u shpreh kryeministri Rama.

“Dhe ndërkohë merrte fjalën këtu, dhe të mbronte jo në kohën kur ishte akuzuar nga opozita, se ajo është gjëja më normale që mund të bëjë një kryeministër, por edhe kur ishe i akuzuar nga prokuroria. Gjëja më anormale që mund të bëjë një kryeministër. Unë s’e kam bërë kurrë dhe nuk kam për ta bërë, kam çfarë kam unë opinionet e mia për Prokurorinë për mënyrën se si vepron, për këtë apo për atë, kjo është çështje tjetër. Kam folur vetëm për qëndrimin në këshillin për mandatet në PS, se e kam patur për detyrë të shpjegoj qëndrimin, dhe aty ka mbaruar detyra ime për atë çështje. Tani ajo çështje i takon hetimit, drejtësisë, atyre gazetarëve që dinë të bëjnë investigime, por jo ty, e partisë tënde”, tha kreu i qeverisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb