SARANDE- Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me lajmin që qarkullon në media se Shqipëria është shprehur e gatshme se mund të pranojë një kapacitet prej 600 mijë refugjatësh sirianë.

Në një dëgjesë publike me qytetarët në Sarandë, Rama e cilësoi këtë lajm një broçkull kozmike, ndërsa nuk kurseu as sulmet për opozitën. Sipas tij tashmë Esat Pasha ka gjetur pasardhësit.

“Broçkulla e re kozmike është që 600 mijë ushtarë të ISIS do vijnë në Shqipëri. ISIS si ka aq ushtarë. Do vijnë me avion i bie, por ne nuk bëhemi pikë grumbullimi për ta. S’ka se si ti shkojë në mendje dikujt në Europë që Shqipëria të bëhet një pikë mega-grumbullimi refugjatësh, ska se si ti shkojë në mëndje. Edhe sikur të çmendet ndonjë në Europë që ta bëjë këtë shaka, ne do buzëqeshim me keqardhje dhe do t’i sugjerojmë psikologe. Mirëpo, ajo çka mbetet ama, është se Esat Pasha ka gjetur pasardhës. 100 vjet në varr, i hidhëruar pa pasardhës, i gjeti pasardhësit. Pasardhës që janë gati të hedhin çdo ditë bomba me tym e helm, me shpresën e dëshpëruar se qytetarët do çmenden dhe do shkojnë pas berihait. Duke besuar në këto marrëzi të shitjes së detit dhe 600 mijë ushtarë të ISIS në Shqipëri. Kur erdhi babalja, heroi i luftës kundër krimit, çdo gjë mund të vij pas. Nuk ka gjë që nuk mund të vijë pas. Siç thonë, se di në greqisht, por në shqip thonë; qentë le të lehin, karvani le të ecë përpara”, tha Rama.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb