GJIROKASTER – Kryeministri Edi Rama ka publikuar disa fotografi si dëshmi sesi “Rilindja”, programi politik i së majtës, ka shndrruar një nga qytetet më të bukur turistikë të vendit, Gjirokastrën.

Ai shkruan sot për përshtypjet që pati nga vizita e djeshme në Gjirokastër: “Në Gjirokastrën që po fillon të marrë frymë dhe po përjeton rilindjen e shpresës së humbur për kaq shumë vite falë kthimit të vëmendjes së qeverisë nga ky thesar i madh i trashëgimisë sonë kulturore. Më tej në këtë mandat do të bëjmë edhe shumë më shumë, që Gjirokastra të shkëlqejë siç i ka hije për vete e për tërë Shqipërinë.”

Dje, kreu i Qeverisë, bëri një udhëtim turistik në Parkun e Viroit, i shoqëruar nga ministrat Erion Veliaj dhe Arben Ahmetaj, ku inspektoi ecurinë e disa projekteve të rëndësishme për qytetin.

Ai inspektoi punimet për ndërtimin e Parkut të Viroit në Gjirokastër. Shëtitorja në Parkun e Viroit prej 3 kilometra në hyrje të qytetit të Gjirokastrës, shtrihet përreth Liqenit të Viroit.

Me këtë investim synohet të rivitalizohet Parku si destinacion turistik, por edhe të kthehet në një hapësirë me funksionalitet social për qytetarët e Gjirokastrës. Punimet kanë përfshirë rikonstruksionin apo ndërtimin nga e para të 7 segmenteve, ku kombinohen rrugët për automjete me trotuaret për këmbësorë, pista e vrapimit dhe korsia për biçikleta. Një amfiteatër i hapur, fusha e basketbollit dhe ambiente të tjera për aktivitete sportive ndërtohen për herë të parë në hapësirat e Parkut.

Një tjetër projekt i rëndësishëm për Gjirokastrën është rikonstruksioni i plotë i rrugës hyrëse të qytetit, në segmentin nga Parku i Viroit deri tek Varrezat e Dëshmorëve. Projekti parashikon rikonstruksionin dhe zgjerimin e rrugës ekzistuese, realizimin e sinjalistikës horizontale e vertikale, realizimin e rrjetit të kanalizimit të ujërave të shiut etj. Projekti rikoncepton edhe hapësirën. Në krah të rrugës do të ndërtohet një pedonale e veshur me pllaka guri dekorative, pistë vrapimi dhe korsi për biçikletë. Ky investim do të bëjë Gjirokastrën me një hyrje moderne, duke ruajtur me fanatizëm vlerat tradicionale të saj.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: