TIRANE- Kryeministri Edi Rama ka mbrojtur për të disatën herë ligjin e miratuar një javë më parë nga maxhoranca për importin e mbetjeve nga jashtë. Kreu i qeverisë ka shpjeguar se çfarë lejon dhe nuk lejon ky ligj, duke theksuar se industria ricikluese i ka ezauruar kapacitetet për të mbledhur më shumë mbetje në vend.

“Ndihmë të madhe po na jepni ju (opozita) ku pak muaj më parë kryetari juaj vizitoi një fabrikë riciklimi, akuzoi qeverinë dhe premtoi që do të çlironte këtë industri nga bllokimi. Faktikisht tani çfarë bën, bashkë me ju merr përsipër të zhvillojë referendum. Ka një problem, ligji i ri nuk është ligji i Saliut, është një ligj i ri që ka përfshirë dhe këtu janë protokollet, të gjitha kërkesat dhe plus një masë tjetër që e keni sjellë më pas. Ligji i ri që kemi bërë nuk lejon importimin e plehrave nga jashtë. E dyta e ndalon në mënyrë eksplicite djegien apo groposjen e mbetjeve të importuara. E treta, nuk lejon dhënien e licencave për import mbetjesh, për subjekte që nuk zotërojnë dhe nuk administrojnë fabrikën përkatëse që përpunon mbetjet. E katërta, ndalon çdo subjekt që ka një fabrikë që të importojë mbetje brenda listës më shumë se kapacitetet e veta përpunuese. E pesta, ligji i ri vjen në momentin kur industria jo ricikluese i ka ezauruar të gjitha kapacitetet për të mbledhur më shumë mbetje në vend”, deklaroi Rama.

Ai tha se në vitin 2013 Shqipëria riciklonte pak më shumë se 10% të mbetjeve, ndërsa sot riciklon 17% të mbetjeve të veta. Ai tha se riciklimi, të cilit i shërben importi i mbetjeve ka një armik, mafien, duke shpjeguar edhe arsyen.

“Është një shifër shumë e ulët. Por, dua t’ju them se Italia në vitin 2004 riciklonte 18% të mbetjeve sepse Italia është vendi ku gjendjet kupola e mafies së plehrave. Riciklimi ka një armik të madh të betuar mafien. Mafia është e vendosur që të bëjë çmos që të mos lejojë riciklim. Arsyeja shumë e thjeshtë, mjafton të shikoni pamjet e Napolit. Kur Napoli mbushet me thasë të zi që mbysin rrugët e qyteteve është koha për firmosjen e kontratave për groposjen dhe dhënien e licencave për territoret ku groposen plehrat. Nëse mbetjet në Napoli do të ricikloheshin, një sasi e konsiderueshme, në tonelata e mbetjeve që gjendjen në ato thasë plastikë, nuk do të shkonte për t’u groposur. Do të thotë që humbja në para e atyre që duan t’i groposin do ishte shumë e madhe”, tha Rama.

Kryeministri Rama ka shpjeguar edhe njëherë ligjin e miratuar në Parlament, i cili sipas tij, nuk flet për plehrat, por për mbetjet, si lëndë e parë për industrinë.

“Unë nuk mund t’ua shpjegoj juve sa herë që hapni gojën, se ju jeni të pasqarueshëm, se jeni të pariciklueshëm. Ajo që ne ndaluam, nuk është kjo që aprovuam. Është një ligj i ri, dhe nuk ka lidhje me ligjin e vjetër. Nëse kjo industri mbyllet, janë 120 mijë ton mbetje që do mbeten rrugëve të pambledhura. Kjo industri nuk mund të bëjë atë që nuk është bërë në asnjë vend të botës. Ju futeni në beteja që i keni të humbura që ne fillim. Ndërtoni alibira mbi shpifjen, se ju keni një bindje, se mund t’i bëni shqiptarët për budallenj. Edhe tek kjo çështje do të humbni siç humbet në Dibër, siç humbet dhe do të humbni akoma me kanabisin. Faleminderit shumë që më jepni mundësi për të bërë diçka që mund ta kishim bërë më mirë, informimin e njerëzve. Mirë që jeni ju, bashkë me sa gjithollogë që i kemi mes nesh, si hudhër për të mos na marrë më sysh. Për ju ekzistenca krijohet nga fatkeqësitë e këtij populli. Kur shikoni ndonjë rast, turreni si mizat, i keni parë mizat kur turren te diçka që e pëlqejnë? Ashtu do ngecni dhe ju, ashtu do llocni. Mos keni ndonjë shqetësim që nuk bëni dot dallimin mes mbetjes dhe plehrës. Plehra është një mbeturinë që nuk i duhet më as dreqit, tani ju keni gjë me këtë. Ndërsa mbetjet e gjelbra janë tjetër gjë”, tha Rama.

(m.k/el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: