DURRES– Pas mbledhjes së qeverisë në qytetin e Durrësit, kryeministri Edi Rama ka dhënë lajmin e mirë për fillimin e punimeve për ndërtimin e Rrugës së Arbrit. Në një konferencë për shtyp, kreu i Qeverisë tha se të dielën hapet kantieri i parë për ndërtimin e rrugës.

Rama tha se rruga do të ndërtohet sipas standardeve europiane, ndërsa theksoi se do të vijohet edhe me rrugët e tjera.

Më tej, kreu i qeverisë u ndal edhe ulja e papunësisë në vend, si dhe krijimi i vendeve të reja të punës.

“Kemi sfidën e madhe të forcimit të disiplinës kontraktuale mes punëmarrësve dhe punëdhënësve, përmirësimin e kushteve të punës për të rritur më tej pagat e ulëta, dhe kjo ngjall reagime. Papunësia e regjistruar zyrtarisht dhe objektivisht nga INSTAT në mënyrë të pavarur në masën 18 % në 2014 kur ne vendosëm të bënim ndarjen historike të INSTAT nga zyra e kryeministrit, dhe sot që ky nivel është 14 % jemi të kënaqur.

Ecuria e punësimeve ka qenë pozitive. Përpjekjet tona po japin efekt. Jemi në një përpjekje serioze për punësim real. Do të vazhdojmë duke u bazuar në kushtet që po krijohen në ekonomi. Lajmi tjetër është se po rriten investimet e huaja. Më në fund do t’i japim fund 100 viteve ëndrra, heshtje, premtime, për rrugën e Arbrit, pasi të dielën që vjen hapet kantieri për Rrugën e Arbrit”, u shpreh kryeministri Rama.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb