TIRANË- “Me ose pa Saliun dhe Lulzim Bashën, në koalicion ose qoftë edhe të vetëm, më 18 qershor shkojmë në zgjedhje”. Kjo mësohet të ketë qenë deklarata e kryesocialistit Edi Rama në mbledhjen e kësaj të hëne në grupin parlamentar, duke lënë të hapur edhe mundësinë e daljes të vetëm në zgjedhje. Një qëndrim të tillë e ka konfirmuar edhe ministrja për Çështjet me Parlamentin, Ermonela Felaj.

“Në zgjedhje më 18 qershor! Patjetër, do hyjmë edhe pa opozitën”, është shprehur kryeministri.
Rama i ka bërë të qartë deputetëve se gara në 18 qershor nuk është as për Partinë Demokratike, as për aleatët, por për qytetarët, dhe për këtë duhet punuar fort që të arrihet rezultat më i thellë se 23 qershori i 4 viteve më parë.

Të njëjtat burime thonë, edhe mospjesëmarrjen e opozitës në zgjedhje, Rama e ka cilësuar “Demokraci”.
Nga ana tjetër, Rama nuk ka pranuar një paralelizëm me situatën në Maqedoni, për faktin se mazhoranca e do reformën në drejtësi, dhe do ta çojë atë deri në fund.

“BalkanWeb” mësoi edhe se tonet kishin qenë të qeta, por kërkesën e llogarisë për të tijtë në terren, Rama nuk e kishte kursyer.

Shefi i selisë roze ka ripërsëritur mesazhin se çdo deputet duhet të jetë në krye të zonave nga ku janë zgjedhur, dhe të takojnë çdo qytetar, si dhe t’i njohin me punën dhe projektet e qeverisë.

Porosi të prerë Rama ka dhënë edhe për praninë në seancën e së enjtes, kur pritet të votohen dekretet e Presidentit për shkarkimet dhe emërimet e 4 ministrave të rinj, 71 votëshi është tejet i rëndësishëm.

Më herët në selinë rozë u mblodh edhe Kryesia, që vendosi thirrjen e Asamblesë më 2 prill, dhe mbledhjen e Kongresit elektoral më 29 prill, nga ku do dalë edhe lista e kandidatëve sipas qarqeve dhe programi elektoral.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb