TIRANE– Kryeministri Edi Rama ka folur sërish sot për reformën në drejtësi, dhe refuzimin që PD i bëri propozimit të Viktoria Nuland. Në një konferencë për mediat, kreu i Qeverisë tha se qëndrimi i opozitës zhgënjeu ndërkombëtarët, të cilët janë angazhuar për një proces kaq të rëndësishëm për vendin tonë.

Rama tha se PD ka përdorur si alibi pretendimet për nenin 55 më parë, e nenin 88 së fundmi, për të penguar rrugën e reformës dhe të kompromisit.

“PD e refuzoi propozimin e Nuland. Mori pikë e presje atë që kërkoi, por nxori një bisht tjetër, duke ngritur pikëpyetjen e pabesueshme mbi besueshmërinë, integritetin edhe rolin e ndërkombëtarëve në procesin e skanimi të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Nuk u befasova unë dhe askush që nuk e di se çfarë duan ata. Por u befasuan dhe zhgënjyen aleatët e Shqipërisë, të cilët janë angazhuar si kurrë më parë për një reformë të një rëndësie të tillë. Flasin për rrezikun për sovranitetin e vendit nga euro-amerikanët. Me nenin 55 në dimër e nenin 88 në verë, ishte vetëm një alibisë ne nuk do të hapim rrugën e kompromisit. Kyr kjo arriti ra, me vendosjen në tavolinë të kompromisit nga Nulnad, PD kërkoi 48 orë për të marrë veten, dhe për menduar pretendimin e radhës.

Organizoi përpjekje të dëshpëruar për të bindur shqiptarët se vetingun e gjykatësve dhe prokurorëve Shqipëria mund ta bëjë më mirë me këta gjyqtarë që ka, dhe jo nga ndërkombëtarët. Sipas tyre ky na qenka kërcënim për sovranitetin e Shqipërinë. Një popull i tërë që rrëqethet sa herë duhet të marrë rrugën drejtë një derë gjykatë. Por ata e dinë se vetingu nga ndërkombëtarët ua heq nga dora çekiçin këtyre të korruptuarve”, tha kryeministri Rama.

Nga ana tjetër kreu i qeverisë pohoi se vetëm një hap e ndanë Shqipërinë nga hapja e negociatave me BE, që është miratimi i reformës në drejtësi. Ndër të tjera ai theksoi se vendi unë mund të jetë sovran vetëm brenda shtëpisë së vetë, por në këto kushte nuk ka shanse të jetë pjesë e BE-së.

“Kjo nuk është një reformë sociale apo sportive, që ne bashkisë jonë mund ta bëjmë vetë dhe për vete. por kjo është një reformë për Shqipërinë Europiane dhe që duan të anëtarësohemi në BE. Sovraniteti jonë është relativ dhe jo absolutisht nëse duam të jemi në BE. Nuk ka vend absolut të zgjedh se çfarë i pëlqen dhe çfarë jo, për reformat modernizuese për vendin. Ka reformë drejtësie të zbatuar që të jetë përdorur shpata e sovranitetit për të mbajtur jashtë partnerët ndërkombëtar? Pse ka vënë BE reformën si kusht për të hapur negociatat. Pasi pa këtë reformë mund të mbetemi sovran brenda shtëpisë tonë, por s’ka shans që të trokasim e të hyjmë në shtëpinë e madhe të BE. A ju kujtohet si thoshim; e duam Shoqërinë si gjithë Europa? Ja pra kjo është. Ne do shihemi si një vend i sunduar dhe nënshtruar ndaj pushtetit sovran, do humbasim të tjera vite, askush nuk e llogarit sot sa që të jemi këtu ku jemi, një hap larg nga hapja e negociatave me BE.”, tha Rama.

Sakaq, kryeministri Rama nuk nguroi të ‘lëshonte’ ironi në drejtim të atyre që i quajti ‘sovranistë’, ndërsa sulmet i kishte për opozitën. Batuta e tij shkoi më tej duke thënë se korporata e të inkriminuarve ‘po të bëhet bashkë, mund të blejë edhe Leonel Messin, i cili më pas do luaj me Kamzën e Mziut’.

“Kam arritur të dëgjojë edhe sovranistët që të thonë se ç’na duhet BE? Pse budallenj janë britanikët që dolën?! Madje njëri syresh thoshte që; Po sikur ndërkombëtarët të na dalin të korruptuar njësoj si tanët, kujt do ti ankohemi ne? Ndërkombëtarët nuk merren dot në telefon, dhe thonë; Ej ma ki pak parasysh Gjinin” “Kaloje pak Ladin”. Pse u zvarritëm në çerek shekulli nëpër arat dhe fushat e korrupsionit dhe ndërtuam në mes të fushës një sistem që është më i korruptuar në gjithë sistemin ndërkombëtar. Si mund ta bëjmë ne pastrimin e sistemit të drejtësisë? Kjo korporatë të pasurish, që po të mblidhen të gjithë bashkë blejnë edhe Leonel Messin dhe ai do luaj më pas me Kamzën e Xhelal Mziut.”, pohoi Rama.

Rama tha se që në fillim e ka ditur se do të përballeshin me kushtëzimet absurde të opozitës. Kryeministri e ka përsëritur ftesën e tij që opozita ta shkruajë vetë draftin e reformës me kushtin që të pranohet nga SHBA-të dhe BE-ja.

“Unë e kam ditur që do të vinte kjo ditë sot. Ua kam thënë të gjithëve, edhe partnerëve. Kur të vijë drafti tek pragu i Kuvendit, do shohim ç’do shohim e po dëgjojmë, ç’po dëgjojmë. E kam ditur që do gjendeshim përballë murit të frikës dhe kushtëzimeve absurde të opozitës. Edhe pasi pranuam gjithçka, unë kam bërë dje një propozim të ri që do ta përsëris qartë: Ne jemi gati të votojmë më 21 korrik, çdo gjë që PD do të fusë në draftin e reformës në drejtësi me kushtin që të pranohet nga SHBA-të dhe BE sepse është në përputhje me kushtet dhe standardet që kërkon Shqipëria”, theksoi Rama.

Po në deklaratat e Ramës nuk ka munguar as ironia ndaj PD-së.

“Kam qeshur me sovranistët, se më në fund u dorëzova dhe nderi i Shqipërisë…se këta flasin me kokat e mëdhaja… S’ka kokë të madhe në botë që merr vesh se ç’kërkon PD. Tani nder u vu në vend, shumë mirë, nuk dua të merrem me ta. Partnerët tanë po kërkojnë të na ndihmojnë për të pastruar sistemin e drejtësisë dhe për ta përfshirë në gjirin e tyre.  Kufiri te thana për SHBA-të, një marrëzi”, u shpreh kryeministri, që e ka quajtur PD-në “lepur të bërë luan”.

“PD të shkruajë ca të dojë aty nëse e pranon SHBA-të dhe BE-ja. E kalojmë pa procedurë në parlament dhe do i themi faleminderit shumë se na shpëtove faqen që po na nxihet çdo ditë për shkakun tënd”, theksoi Rama.

Kryeministri i ka dërguar edhe një ftesë kreut të PD-së, Lulzim Basha. Ai tha se deri më 21 korrik në orën 10:00 mund ta marrë në telefon për çdo të re që pranohet nga SHBA dhe BE. Ai ofroi konsensusin e tij mbi një letër të bardhë, mjafton që kjo letër të ketë vulat e dy partnerëve.

“Nuk duan ata të na integrojnë me zor, jemi ne që e duam BE-në. PD ka dhënë një shkëndijë gjenialiteti dhe na vjen me një zgjidhje.  E ftoj Lulzim Bashën nga sot dhe deri në orën 10:00 të datës 21 korrik të më njoftojë menjëherë në çdo orë të ditës dhe të natës, e ka numrin tim të telefonit për t’u takuar për çdo të re, që pranohet nga SHBA-të dhe BE. Unë do ta votoj, ne do ta votojmë pa ndryshimin e asnjë presjeje. Është konsensus me firmë mbi një letër të bardhë. Të shkruajnë çfarë të duan, mjafton që ajo që të kenë shkruar të ketë 2 vula një të SHBA-ve dhe një të BE-së”, përfundoi Rama.
(el.sp/ed.me/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb