TIRANE- Kryeministri Edi Rama ka mbrojtur sot projektin e stadiumit të ri “Arena Kombëtare” në prezantimin para Shoqërisë Civile. Duke iu kthyer përgjigje kritikëve që i etiketoi si “teologë”, Rama tha se stadiumin e do aty logjika urbane dhe sociale e kryeqytetit.

“Sot stadiumi “Qemal Stafa” është një qendër e mjeruar tregtare me garazhe, lokale dhe mizerabilitet pa standard për qendrën e Tiranës. Është një turp mu në mes të kryeqytetit, turp potencial i madh edhe për vendin tonë. Nuk e ka Tirana luksin të ketë një gropë të errët gjatë natës mu në qëndër të saj”.

Ai tha më tej se, “Ajo që kemi bërë me Elbasan Arenën për të shpëtuar nderin e ekipit kombëtar që të mos hynim në histori si vendi i vetëm në Europë, që në kohë paqeje çon Kombëtaren të luajë në stadiumet dhe në derën e botës. Stadiumet nuk ndërtohen vetëm për futboll, vetëm për të dielën. Kam dëgjuar krahasime me Alianz Arenën. Stadiumi Kombëtar i Shqipërisë nuk e ka mundësi të mbajnë vetveten, bashkitë nuk administrojnë stadiumet”.

“Nuk e di në është gjëja e udhës që një projekt të sulmohet pa e parë. Stadiumi i ri heq parkimin e makinave, një parkim ordiner. Projekti i ri i hap rrugën për ta çliruar sheshin nga ndërtimi midis stadiumit dhe Sheratonit. Krijon dy hapësira publike. Vetëm këtu ndodh që këta teologët e trashëgimisë të duan të ecin me makinë në atë vend të ngushtë”.

Rama u përgjigj edhe për projektin e kullës në stadium, duke thënë se vendet e botës e kanë një të tillë që në fillim të këtij shekulli.

“E pakonceptueshme fobia ndaj kullave, përse i përket stadiumeve me kullë nuk janë shpikej e kësaj kohe dhe kjo kullë nuk është shpikje e arkitektëve italianë. Sikur të ishte e para kullë do ta kisha mbështetur me pasion, por nuk është e para. Kullat dhe stadiumet kanë bashkëjetuar që në fillim të shekullit të kaluar. Kulla element i kërkuar me këmbëngulje nga arkitekti, si element ikonik i stadiumit të ri.

Nga ana tjetër, Rama nuk ka kursyer dozat e ironisë ndaj kritikëve, duke i quajtur ata ‘teolog’.
“Nga kush prisni ju, këta telogut? Nga qeveria? Nga buxheti i qeverisë? Kurrën e Kurrës. Është e pamundur. Nga Federata? Kurrë !Nga përfaqësuesi i UEFA ishte vlerësim maksimal për projektin, madje ai më pyeste, a jeni të sigurt që do e bëni? Kur qeveria shqiptare nuk paguan asnjë lekë, merre mbrapsht një projekt dhe hapësirë publike, po ashtu dhe bashkia e Tiranës. Federata nuk paguan asnjë kokërr leku, por siguron mbështetjen e UEFA-s. Këto janë biseda që mund të zhvilloheshin në kohën e partisë së punës. A i shkon e kuqja, a si shkon? A duhet të jetë fasada e Brazilit? Këto i takojnë aspekteve të tjera.”, tha Rama.

Sakaq, ai tha se nuk vendosin ata që shohin, por ata që bëjnë projektin. “Mos harrojmë një gjë. Nuk vendosin ata që shohin, por ata që bëjnë. Nuk është vendimmarrja e atyre që kanë mendimet e tyre, por është detyrë e atyre që marrin mendime, nuk shkon. Se po del në modë që mblidhen ca njerëz e janë të zot në fushat e tyre, për këndin e lojërave apo stadiumin, nuk shkon. Stadiumi është i domosdoshëm, gërmalla atje është e turpshme. Gerardo Bozio do të ruhet, ajo pjesë që është autentike do të ruhet. Lexova dikë që thoshte që ato kullat pengojnë të shohim malin e Dajtit, por kjo s’ka lidhje.”, theksoi Rama.

DUKA: MË KËNAQ FAKTI QË KA DISKUTIME, TREGON SE SHQIPTARËT E DUAN SPORTIN
Kreu i Federatës Kombëtare të Futbollit pohoi se fakti që çështja e projektit të stadiumit të ri tregon se shqiptarët e duan futbollit. “S’dua të bëjë polemika me askënd, dhe as të kundërshtoj njeri. Madje më kënaq fakti që ky objekt është kaq sensibël. Ndaj tregon se sa shumë e duan shqiptarët futbollin, aq më tepër dhe objektet e tyre. Është e pamundur që të kënaqi mendimet e të gjithëve, por asnjë s’ka të drejtë që të heqin mendimet e shumë të tjerëve.”, tha Duka.

FJALA E PLOTË E KRYEMINISTRIT RAMA NË MBLEDHJEN E KKT
​Kjo është një mbledhje e radhës e Këshillit Kombëtar të territorit, i cili sipas ligjit, zhvillon mbledhje të mbyllura ose në raste të caktuara mund të bëjë mbledhje të hapura, por pa të drejtë ndërhyrje nga të ftuarit.

Sidoqoftë, ne besuam që ky ishte një moment i mirë për të bërë një mbledhje të hapur me një numër të kufizuar të ftuarish nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe në respekt të disa prej tyre që janë këtu dhe që kanë shprehur dhe kundërshti teknike për projektin, mendoj që do të gjejmë një rrugë, që pas gjithë prezantimit zyrtar, në një hapësirë pushimi, ata të mund të komunikojnë me arkitektët projektues, pra të mund të shkëmbejnë opinionet.

Unë dua të them disa gjëra që besoj janë të rëndësishme për të vendosur një kornizë racionaliteti në këtë proces, që është një proces i nisur me shumë ambicie dhe vendosmëri nga qeveria shqiptare, në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit për t’i dhënë vendit tonë, një stadium kombëtar.
Kujtoj që, qysh se unë isha kryetar i Bashkisë së Tiranës, në kohën kur realizuam planin e qendrës së Tiranës me studion e famshme franceze “Architecture Studio”, kam pasur një debat, unë dhe të tjerë nga pala jonë, lidhur me vendndodhjen e stadiumit. Ne kemi mbrojtur idenë që stadiumi duhej të spostohej në periferi.

Studio franceze ka këmbëngulur që stadiumi duhet të qëndrojë aty ku është. Unë mund t’ju them kaq, që unë nuk mbaj mend asnjë rast, në gjithë 11 vitet e mia si kryetar bashkie dhe më pas, që unë të kem diskutuar, – dhe e kam shtruar këtë çështje me të gjithë arkitektët dhe urbanistët e famshëm që kanë kaluar nga Tirana, – që një i vetëm të më ketë thënë se do të ishte mirë që stadiumi i ri të ndërtohej në periferi. Përkundrazi, të gjithë pa përjashtim kanë nënvizuar faktin se është fat për Tiranën që stadiumin ekzistues e ka në qendër, dhe që stadiumin e ri ta ketë në gjurmën e ekzistuesit. Ashtu sikundër, kam dëgjuar dhe nënvizimin shumë të rëndësishëm, në aspektin kulturor, që nuk është respekt për planin origjinal të Brasini-t, spostimi i stadiumit nga aty ku është në periferi. E kundërta është e vërtetë. Pa folur këtu për njerëzit e sportit.

Jo më larg se parmbrëmë kam marr një mesazh nga Arrigo Sacchi, të cilit për kortezi ia kisha çuar projektin e stadiumit, që më thoshte “është një projekt i mrekullueshëm, uroj me gjithë zemër që Shqipëria ta ketë këtë stadium sepse është gjëja më e mirë që mund të bëjë vendi juaj për futbollin”. Pa diskutim, të gjithë njerëzit e futbollit, të gjithë njerëzit e sportit, duke filluar me të drejtë nga Federata Shqiptare e Futbollit, stadiumin e duan aty. Stadiumin e do aty edhe logjika urbane, ekonomike dhe sociale e qytetit.

Ne flasim për një monument kulture në mënyrë shumë abstrakte, dhe me siguri pa pasur parasysh se ç’është në fakt sot stadiumi “Qemal Stafa”.
Stadiumi “Qemal Stafa” është sot një qendër e mjeruar tregtare. Një gërmadhë, një tendë garazhesh, lavazhesh, mizerabilitetesh të të gjitha natyrave, që s’ka asgjë të përbashkët me asnjë lloj standardi të pranueshëm, jo për qendrën e Tiranës apo për vizionin dhe konceptin e Brasinit dhe të Bozios, por përkundrazi është një turp mu në mes të kryeqytetit.

E përveçse është një turp mu në mes të kryeqytetit, është dhe një turp potencial i madh për vendin tonë që, më kujtohet shumë mirë, takimin e parë që kam pasur me presidentin e Federatës, si kryeministër, rrezikoi që të ishte i pari vend në paqe që çonte ekipin kombëtar në emigracion për të luajtur ndeshjet kualifikuese për Europianin. Sepse ky është një stadium i damkosur nga UEFA, si jashtë çdo standardi për të zhvilluar një ndeshje.
Nga ana tjetër, nuk e ka një kryeqytet, dhe s’mund ta ketë Tirana, luksin që mu në qendër të vetë të ketë një gropë. Një gropë të errët gjatë natës dhe një gropë pa asnjë funksion gjatë ditës. Askush s’duhet ta harrojë se ai është stadium. Është menduar si stadium nga Bosio, jeton si stadium dhe duhet të vazhdojë të jetojë si stadium. Ai nuk është fasada e stadiumit. Është stadiumi kombëtar i Shqipërisë.

Tani, sigurisht që një stadium kërkon para. Ne kemi bërë një sforco të pazakonshme për një qeveri në tërësi. Nuk ka qeveri sot në Europë sot që financon ndërtime stadiumesh. Nuk ka sot investitorë stadiumesh që blejnë toka për të ndërtuar stadiumin. Këto dy gjëra t’i kemi shumë të qarta. Kudo ku ndërtohet një stadium, trualli është i falur, i dhuruar nga bashkia.

Stadiumi i Juventusit është ndërtuar mbi një truall të dhuruar. Jo vetëm që nuk i ka kërkuar njeri atyre që të paguajnë para, por përkundrazi u kanë vënë në dispozicion truallin. E njëjta gjë me stadiumin e Romës. E njëjta betejë zhvillohet në Napoli prej 10 vitesh, sepse investitorët nuk pranojnë truallin që iu ka dhuruar bashkia dhe dua një truall tjetër. E njëjta gjë zhvillohet në Firence, po flas për Italinë, mos shkojmë më tutje, ku është e njëjta gjë.

Ajo çka ne kemi bërë me “Elbasan Arenën” dhe me “Loro Boriçin”, na bën nder si qeveri, sepse e kemi bërë për të shpëtuar nderin e ekipit kombëtar, për të bërë të mundur që të mos hynim në histori si vendi i vetëm, i parë dhe i fundit në planet që në kohë paqeje çon kombëtaren për t’i bërë ndeshjet e shtëpisë në shtëpitë e botës. E kanë bërë të tjerët, por e kanë bërë në kohë lufte. Edhe Shqipëria e ka bërë në një fazë, në ’97-ën.

Ka dhe një problem të rëndësishëm. Stadiumet nuk ndërtohen më vetëm për ditën e diel, apo vetëm për futboll. Nuk ka më asnjë vend që i ndërton stadiumet vetëm për të dielën apo vetëm për futboll. Kam dëgjuar krahasime me “Allianz Arenën” shumë qesharake. “Allianz Arena” ka 80 mijë njerëz që paguajnë 100 euro çdo të diel. Ndërkohë që stadiumi kombëtar i Shqipërisë, apo shumë stadiume të tjera nuk e kanë mundësinë të mbajnë vetveten, ashtu sikundër shtetet, qeveritë, bashkitë nuk administrojnë stadiume. Nuk ndodh kjo. Është një gjë që i përket të shkuarës. Problemi i madh serioz që kemi ne me stadiumin, qoftë me “Elbasan Arena” për të cilën mund të dëshmojë presidenti i Federatës, qoftë me stadiumin e Shkodrës, është administrimi i përditshëm, menaxhimi i gjithë asaj hapësire që nuk është vetëm fusha, nuk janë vetëm shkallët, por janë të gjitha mjediset e tjera.

Është shumë e rëndësishme që të mos harrojmë për asnjë moment impaktin social që ka skuadra kombëtare, ka pasur, ka dhe do të ketë gjithmonë pavarësisht se s’do jemi në çdo edicion në finalet e kupave të Europës apo të botës, dhe domosdoshmërinë për t’i dhënë këtij impakti një vlerë maksimale. E paralelisht, domosdoshmërinë për të pasur një stadium në qendër të Tiranës që funksionon si hapësirë publike në dispozicion të publikut 7 ditë të javës dhe mundësisht 7 netë të javës.

Atëherë, nuk shoh arsye për polemika në kuptimin e domosdoshmërisë për stadiumin, në kuptimin e domosdoshmërisë për një zhvillim urban ekonomik dhe social të qendrueshëm, ashtu sikundër patjetër që është krejt normale që të ketë diskutime dhe kundërshti mbi vetë projektin. Nuk ka një projekt arkitektonik të mundshëm që të krijojë konsensus. Konsensus mund të krijojë vetëm stadiumi “Qemal Stafa” siç është sot, që falë konsensusit 25 vjet është rrëgjuar në sytë tanë, është bërë një pazar ordiner oriental, një pisllëk i pashoq, një turp i paparë, dhe askush nuk ka dalë të marrë një herë fjalën dhe të marrë një herë penën dhe të thotë “ si ka mundësi që ky stadium është lënë në këtë derexhe”. Askush nuk është kujtuar as për Armando Brasinin, as për Gherardo Bosion kur ngrehina u deformua. Nuk është deformuar vetëm në këto 25 vjet. Ndërhyrjet në këtë stadium kanë qenë të vazhdueshme që pas luftës e deri para pak kohe. S’u çua njeri të thotë “si ka mundësi”.

Për më tepër, jemi në një kontekst krejt tjetër. Ai stadium dhe ajo fasadë nuk janë të rrethuara nga asgjëja e fotografive të vjetra që ekspozohen për t’iu kundërvënë projektit. Janë brenda një konteksti komplet tjetër, urban dhe patjetër edhe social. Nuk mundet dot që ne të jemi kaq të ngurtë dhe kaq fanatikë përballë domosdoshmërisë për ndërhyrje që është e të gjitha planeve, por edhe për ndërhyrje në atë kontekst. Konteksti aty është krejt tjetër që kur është ndërtuar Sheratoni, jo më pastaj me të gjitha zhvillimet e tjera që kanë ndodhur rreth e rrotull. Për më tepër, edhe teoria e shtrirjes së qytetit në periferi është një teori që ka dalë nga moda, ka dalë nga koha.

Qyteti europian është gjithmonë e më shumë një qytet që densifikohet në kufijtë e vetë dhe gjithmonë e më pak një qytet që shtrihet në periferi, siç ndodh me qytetin amerikan. Zhvillimi i qëndrueshëm, parimet e zhvillimit të qëndrueshëm dhe qasja e re ndaj zhvillimit të qëndrueshëm, janë botërisht të pranuara në kulturën urbane të Europës si shtysë për të konservuar qytetin, në kufijtë ekzistues, duke rritur densitetin brenda qytetit dhe për të ruajtur balancën mes qytetit dhe gjithë natyrës rreth e rrotull. Jo për ta zdërhallur qytetin në të katër anët, siç ka ndodhur për shkak të gjithë politikave të mbrapshta urbane që janë bërë në këtë vend, dhe për shkak të fragmentimit administrativ dhe territorial, ku Tirana, në vend që të intensifikohej në kufijtë e vet, ka humbur pjesë të tëra të kurorës së saj të gjelbër.

Nuk e di nëse është gjëja më e udhës që një projekt të sulmohet pa u parë, të sulmohet pa u kuptuar deri në detaje. Stadiumi i ri kthen sheshin e Brasinit dhe të Bosios. E heq parkimin e makinave. Aty është një parkim makinash ordiner, ka 20 e kusur vite, askush s’është çuar të thotë “ku është piaca e Brasinit dhe e Bosios”. Ajo është një piacë e konceptuar për këmbësorët, që nuk ka qenë më e këmbësorëve që kur na erdhi liria bashkë me përpjekjen për demokraci, ndërkohë që projekti ia kthen këmbësorëve. Pra, me projektin e ri nuk kemi vetëm një piacë, por kemi dy piaca. Nuk kemi më vetëm sheshin “Nënë Tereza”, por kemi dhe sheshin tjetër.

Ashtu sikundër, projekti i ri hap rrugën për ta çliruar sheshin edhe nga ndërtimi midis stadiumit dhe Sheratonit, që është komplet jo kompatibël, qoftë me lejen e dhënë një herë e një kohë nga Bashkia e Tiranës, qoftë dhe me projeksionin për të nesërmen.
Projekti krijon dy hapësira të reja publike që nuk ekzistojnë sot. Vetëm këtu mund të ndodhë që gjithë këta teologët e trashëgimisë dhe të arkitekturës ta pranojnë që të ecin me makinë në atë shtegun e lirë që është midis lavazheve dhe murit të Sheratonit, dhe ta konsiderojnë normale. Apo të pranojnë që të bëhen sanduiçë të gjithë në krahun tjetër dhe të mos u bëjë përshtypje. Ndërkohë që stadiumi tërhiqet në të dy këndet anësore dhe krijon dy hapësira për publikun.

Hapësira publike në dispozicion të publikut. Nga ana tjetër, është e pakonceptueshme për mua të paktën, fobia ndaj kullave në vetvete. Ndërsa për sa i përket stadiumeve me kullë, më vjen shumë keq, por nuk janë as shpikje e kësaj kohe dhe aq më pak shpikje e arkitektëve italianë. Unë do të isha shumë i lumtur sikur të kishim të bënim me të parën kullë që ndërtohet në historinë e stadiumeve, dhe do e kisha mbështetur me shumë pasion pavarësisht të gjithë baltës apo gjithë keqkuptimeve. Por nuk është e para. Kullat dhe stadiumi kanë bashkëjetuar qysh në fillimvitet e shekullit të kaluar, dhe mjafton të shikosh “Olympya Stadium” me dy kullat e veta, mjafton të kthesh kokën dhe të shikosh stadiumin aktual të Firences me kullën e vjetër të ndërtuar para Luftës së Dytë Botërore, mjafton të shikosh plot e plot stadiume të gjeneratës së fundit që kanë edhe kullën si element.

Ndërkohë që, unë ju siguroj se kulla në këtë rast nuk është absolutisht spekulim për të fituar metra katrorë. Po të bëni një llogari të metrave katrorë që ka kulla, do të shikoni që janë krejtësisht të pamjaftueshme për të justifikuar një spekulim imobiliar, dhe po të ishte për metrat katrorë, ato metra do të ishin fituar lehtësisht në të gjithë perimetrin e stadiumit. Kulla është një element i kërkuar me këmbëngulje nga arkitekti dhe nga studioja si element ikonik i projektit të stadiumit të ri, që reflekton qoftë kulturalisht raportin e arkitektit dhe të studios me traditën në tërësi dhe me ansamblin në fjalë në veçanti, dhe nga ana tjetër i jep stadiumit një shenjë domethënëse dhe tërheqëse si pjesë të vetën.

Stadiumi sot vlerësohet të kushtojë 50 milionë euro. Punimet me siguri mund të kërkojnë edhe financim shtesë, siç ndodh hera-herës. Atëherë, nga kush prisni ju, këta teologët nga kush presin që të ndërtojë stadiumin? Nga buxheti i qeverisë? Kurrën e kurrës! I pamundur! Nga federata?! Absolutisht e pamundur! E vetmja mundësi është mundësia të cilës i drejtohen qeveri shumë më të pasura se e jona, partneriteti publik-privat, ku një kompani e identifikuar me procedura të rregullta nga federata shqiptare e futbollit hyn në partneritet. Kompania investon rreth 40 milion euro dhe UEFA përmes federatës së futbollit dhe jo në hava, por falë vlerësimit maksimal për projektin, projekti ka shkuar në UEFA përpara se sa të vinte në KKT, sepse Federata e Futbollit nuk mund të bëjë asnjë investim minimal, pra asnjë stadium pa marrë miratimin e UEFA-s.

E siç shkoi në UEFA “Elbasan Arena”, siç shkoi në UEFA stadiumi “Loro Boriçi” dhe vajti dhe erdhi nga selia e UEFA-s disa herë për të konfirmuar 100% standardet e projektit, edhe ky projekt ka shkuar ne UEFA. Nuk ishte as rastësi, as i ra rruga që një përfaqësues i lartë i UFEA-s erdhi në prezantimin që bëri Federata shqiptare e Futbollit përpara ca ditësh, por ishte vlerësimi maksimal për projektin, për të cilin përfaqësuesi i UEFA-s kur u takuam më pyeste vazhdimisht “A jeni të sigurt që doni ta realizoni, ky është një nga stadiumet më të bukur të Europës”. Është provuar edhe në forma të tjera. Presidenti i Federatës mund ta tregojë më mirë sepse ka qënë ai, nuk kam qënë unë, kur janë bërë provat e tjera dhe nuk është realizuar dot. Shteti shqiptar, qeveria shqiptare, buxheti i shtetit nuk paguan asnjë lek. Merr mbrapsht një pronë të madhe publike, stadiumin për skuadrën kombëtare, dhe për gjithë dashamirësit e skuadrës kombëtare.

Bashkia e Tiranës nuk paguan asnjë lek dhe merr mbrapsht një hapësirë publike që do të jetë një tjetër pjesë e qytetit bashkëkohor të jetës urbane dhe sociale. Federata nuk paguan asnjë lek, por siguron mbështetjen e UEFA-s pikërisht, sepse paraqitet me një projekt serioz. Ku qëndron problemi në këtë rast?! Problem është pse ka një kompani private që do të marrë në zotërim një pjesë të mjediseve ndihmëse, mbasi investon 40 milion euro?! Këto janë biseda që mund të zhvilloheshin vetëm në gjyqet e partisë së punës. Vetëm atje mund të hyje i akuzuar për tradhti ndaj atdheut për koncepte elementare të ekonomisë së tregut. T’i diskutosh këto në një vend demokratik me ekonomi tregu të pranuar në Kushtetutë dhe me një funksionim të ekonomisë të bazuar tek sipërmarrja private është për mua e pakuptueshme.

Ndërkohë që patjetër për sa i përket aspektit, a i shkon e kuqja apo si shkon e kuqja? A duhet te jetë fasada e Armando Brasinit brenda, apo duhet të jetë jashtë? A duhet të ketë formë me 8 kënde apo duhet 4 kënde? A duhet të jetë kulla e gjatë, apo duhet të jetë pa kullë? Këto janë diskutime krejtësisht normale mes profesionistësh, arkitektësh, urbanistësh, dashamirësish, por mos të harrojmë një gjë; Nuk vendosin ata që shohin, vendosin ata që bëjnë. Nuk është vendimmarrja e atyre që kanë mendimet e tyre, por është detyra e tyre që duhet të marrin vendimet, t’i dëgjojnë të gjitha mendimet dhe të vendosim. Se kjo moda që po tentohet të krijohet këtu që mblidhen ca njerëz shumë të respektueshëm për mendimet e tyre dhe duan t’i imponojmë gjithë autoriteteve vendimmarrëse dhe gjithë njerëzve që investojnë në këtë vend se si duhet të bëhet një park lodrash apo se si duhet të bëhet një stadium është diçka që është absolutisht e papranueshme.

Aq sa duket demokratike aq është jo civile. Kurse shkëmbimi i mendimeve, debatet janë gjëja më normale në botë. Por ne nuk kemi kohë për të humbur, stadiumi është i domosdoshëm, gërmadha atje është e turpshme dhe në fund fare gjëja që duhet normalisht t’i paqëtojë të gjithë është se Gherardo Bosio do të ruhet. Ajo pjesë e pazarit atje që është autentike atje do të ruhet. Është shumë e thjeshtë. Lexova njërin, thoshte: “Na pengon të shohim malin e Dajtit”. Po ato kullat mbrapa nuk të pengojnë?! Po Sheratoni anash nuk na pengon të shohim atë linjën sensuale të kodrave të liqenit?! Po kulla në krahun tjetër nuk pengon?! Këto janë gjëra komplet naive dhe më vjen shumë keq po dëshmojnë për një nivel shumë të diskutueshëm debati. Nuk janë këto debate serioze për një vend serioz dhe për një projekt kaq serioz. Sigurisht që Instituti i Monumenteve të Kulturës ka bërë dhe do të bëjë deri në fund detyrën e vet për të siguruar që të konservohet pjesa e vlefshme e ansamblit, kurse fjala “po prishet ansambli” është një spekulim i jashtëzakonshëm. E kundërta është e vërtetë. Ansambli po ruhet dhe po aktualizohet. Nuk po prishet. Sepse ashtu siç thashë, element bazë i ansamblit është sheshi tjetër këmbësor, do të bëhet dhe do t’i kthehet ansamblit. Element bazë i ansamblit është fasada e Bosios. Do të ruhet.

(ma.ar/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: