TIRANE- Ashtu si me reformën në arsim, ku rëndësi ka cilësia e mësimdhënies dhe standardet, dhe jo fakti nëse këtë e ofron publiku apo privati, e njëjta praktikë do të ndiqet edhe në reformimin e sistemit shëndetësor. Këtë e ka shprehur pasditen e sotme kryeministri Rama, duke theksuar se me rëndësi është që qytetarët të marrin shërbimin e nevojshëm dhe me standardet e duhura, qofshin këto të ofruara nga spitale publike apo private.

Këto deklarata, kreu i Qeverisë i bëri gjatë ceremonisë së inaugurimit të spitalit “Continental” në Tiranë.

“Çdo investim i ri rrit premisat për më shumë konkurrencë dhe më shumë cilësi. Shpenzimet për shëndetësinë në Shqipëri në tërë vlerësohen 85 mld lekë, nga të cilat 43 mld janë shpenzime jopublike për mallra dhe shërbime që ofrohen nga operatorët privatë. Imagjinoni sikur për një moment të mendonim shërbimin shëndetësor pa kontributin e operatorëve privatë. Megjithatë situata në shëndetësi është ende larg të qenit e kënaqshme. Nuk mund të presim një sistem të suksesshëm pa përfshirjen e sa më shumë operatorëve e sipërmarrësve privatë në këtë sistem.

Sot ka një lehtësim më të madh për eksesin në shëndetësi të qytetarëve. Duke filluar nga barnat që kushtojnë më pak. Kemi financuar në mënyrë të ndjeshme shërbimin shëndetësor për të mundësuar kabinete të reja në funksion të qytetarëve.

Njësoj si veprojmë në sistemin arsimor, ku për ne nuk është e rëndësishme nëse shërbimi merret në universitetet publike apo private, por rëndësia është tek cilësia e arsimit dhe standardet, të njëjtën gjë duam të bëjmë edhe për sistemin shëndetësor. Për ne është e rëndësishme është që konkurrenca të garantohet përmes një procedure të unifikuar të akreditimit, të vlerësimit periodik.

Na duhet paraprakisht të kemi qartësinë për koston e çdo veprimi spitalor, në mënyrë që autonomia të jetë e bazuar në protokolle të sakta, për të mos u kthyer në një anarki financiare, me pasojë çuarjen në faliment të këtyre ndërmarrjeve spitalore.

Autonomia spitalore është me rëndësi, dhe ne duam ta realizojnë një orë e më parë, për të kapërcyer fazën ku ndodhej sistemi shëndetësor”, tha kryeministri Rama.

Duke folur për spitalin “Contiental”, kryeministri e nisi nga fasada e jashtme, ku vlerësoi ngjyrat e zgjedhura, duke shtuar ky investim është me rëndësi për këdo që kërkon shërbim cilësor spitalor.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb