KUKES- Pas Durrësit, kryeministri i vendit Edi Rama ka takuar nga afër të rinjtë që votojnë për herë të parë në Kukës, të cilëve iu premtoi më shumë punë, më shumë mirëqënie dhe një rrugë drejt Europës. Në tre vite e gjysëm, tha Rama kjo qeveri ka dhënë provën që ky vend mund të bëhet.

“Shumëkush nga ju do kthehet sot në një shtëpi me prindër të papunë, në një shtëpi ku perspektiva e mirëqenies duket e largët. Ashtu siç ne po luftojmë me mish e me shpirt për drejtësinë, ashtu do luftojmë me mish e me shpirt për t’ju dhënë familjeve tuaja një perspektive, juve një perspektivë. Përderisa vëllezërit motrat tuaja që kanë ikur ja dalin, përse mos t’ja dalim të gjithë këtu. Janë shumë pak 3 vite e gjysmë për të ndërtuar atë që u shkatërrua në 23 vite, por për të kuptuar se ne jemi njerëzit e duhur, dhamë provën se ky vend mund të bëhet. Policët nuk hanë fara në kryqëzim dhe ndalojnë çdo njeri dhe ju shtrijnë kapelen për lekë”,- u shpreh kryeministri.

E duke u ndalur tek aktualiteti politik, Rama i dha një tjetër mesazh kryedemokratit Basha, kur u shpreh se: “Do marrim përsipër të përfaqësojmë edhe PD në zgjedhje”.

“Opozita është ngujuar në çadër sepse ka frikë nga drejtësia. Dhe frika është këshilltari me i keq. Politikanë që ngujohen se kanë frikë të përballen me drejtësinë nuk i duhen dreqit, e jo më popullit. Nëse PD nuk vjen në zgjedhje ne do të marrim përsipër barrën që t’i përfaqësojmë edhe ata. PD mori vijimësisht një besim të madh me votë këtu në Kukës dhe Tropojë, por u desh që të vinte PS që të bëhen 1100 legalizime. Ne nuk i pamë shtëpitë e prindërve tuaj, sipas ngjyrave, por i pamë të gjithë njësoj”,- shtoi Rama.

Ndërsa, drejtori i fushatës së qarkut Kukës, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj në fjalën e tij përmendi ndryshimet në infrastrukturë në Krumë, Bajram Curri, Kukës etj.
Beqaj
Sekretarja për Rininë në Partinë Socialiste, Elisa Spiropali iu bëri të ditur të rinjve të Kukësit se më 18 qershor kanë për të bërë betejën e jetës.
Elisa
“Edi Rama është lideri jonë e ka treguar me vepra vendosmëri dhe energji që sado të jenë kundërshtarët e Shqipërisë ai e do Shqipërinë si gjithë Evropa, ne nuk kthehemi mbrapa, do vazhdojmë para për më shumë punë, për më shumë mirëqenie. Mos lejoni askënd t’ju thotë se Shqipëria nuk bëhet, do bëhet për inat të atyre që nuk e duan, dhe për kënaqësinë tonë që e duam me gjithë shpirt”,- tha ajo.
i riu
Një i ri nga Kukësi që mori fjalën në nisje të takimit sfidoi të rinjtë e Durrësit që i dhuruan kryeministrit dje një shall të Juventusit, kurse ai zbuloi dhuratën e kuksianëve për të parin e qeverisë. “Durrësi i bëri dhuratë një shall me Juventusin, ne nuk do i bëjmë dhuratë as shall me Barcelonën, as me Juventusin, ne do i bëjmë dhuratë një mandat të dytë”,- tha i riu.

“U desh të bëhesha unë kryeministër që Bajram Curri të hiqte pluhurin e harresës disavjeçare. Për 4-5 vite transformimi në sajë të turizmit do të jetë i paimagjinueshëm. Ata që janë nga Tropoja e dinë shumë mirë sesi po zhvillohet sot Lugina e Valbonës. Sot e besoj se Shqipëria bëhet, më shumë se sa e besoja 3 vite e gjysmë më përpara”, tha Rama.

(m.a/el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: