HIMARE- Himara ka një potencial të madh zhvillimi jo vetëm të ekonomive familjare, por edhe ekonomisë kombëtare, ndaj qeveria është e përqendruar me projekte e investime konkrete.

Në vijim të turit të llogaridhënies publike, kryeministri Edi Rama u ndal sot në Himarë, ku zhvilloi një takim me banorët e zonës.

Bashkëqeverisja me qytetarët, sipas Ramës, është një sfidë e madhe për ta kthyer në çdo hap, në një koalicion real të qeverisës së Partisë Socialiste me njerëzit e zakonshëm për Shqipërinë që duam.

“Më vjen shumë mirë që kemi mundësinë të komunikojmë drejtpërdrejtë në një fushatë llogaridhënie, e para si eksperiencë e një partie qeverisëse që takohet me njerëzit në këtë format, jo për arsye zgjedhjesh apo votash, por për të ndarë çfarë kemi bërë dhe duhet të bëjmë”, tha Rama.

Rama theksoi se “nuk ka njeri që nuk e sheh ndryshimin e madh në të gjithë bregun e Jonit dhe çfarë ndryshimi ka filluar të materializohet në gjithë bashkinë e Himarës”.

“Himara nuk i takon vetëm himarjotëve, por të gjithë vendit, për shkak të një potenciali të madh zhvillimi dhe kontributi të madh jo vetëm për ekonomitë familjare, por edhe në ekonominë kombëtare”, tha Rama.
FSD
Investimet, sipas tij, shkojnë në drejtim të nxitjes ekonomike. “Këtu kemi investime private duke filluar nga investimet e vogla të atyre që mund t’i transformojnë shtëpitë në bujtina mikpritje, deri në investimet e mëdha për infrastrukturë e standarde”, tha Rama.

Kryeministri theksoi po ashtu se me agroturizmin i krijohet emigrantëve një rrugë të re investimi.

“Ata që kanë shtëpitë në fshat, kursimet e tyre mund t’i investojnë për t’i transformuar shtëpitë në struktura mikpritje dhe të ardhurat vjetore do të jenë shumë të larta”, siguroi Rama.

Ai shprehu besimin te ky projekt dhe garantoi se “do të bëjmë çmos ta mbështesim këtë sektor”.

“Qeveria do të financojë direkt me para në dorë. Ne kemi bashkëpunimin financiar me të gjithë ata që janë të interesuar për të ngritur struktura më të mëdha për agroturizëm. Nuk është vetëm buxheti ynë, por edhe ai i krijuar nga fondi i mbështetjes së BE-së. Janë 11 milionë euro në dispozicion për tu investuar për projekte individuale familjare apo në grup”, tha Rama.

Po ashtu, ai informoi se për agroturizmin është ngritur edhe një program për informimin dhe asistimin e atyre që janë të interesuar të fitojnë përmes aplikimeve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb