TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar për ndodhitë e fundit në vend dhe grabitjen e së enjtes në rrugën e Rinasit, ku u morën 3.2 mln dollarë nga blindi i një banke.

Rama i del në mbrojtje Policisë së Shtetit, për të cilën thotë se jo vetëm që nuk ka gisht por edhe ka zbardhur grabitjet. Kryeministri rikujton se në qeverisjen e kaluar ndodhën 32 grabitje bankas.

“Kanë ndodhur disa grabitje të kësaj natyre vitet e fundit. Nuk është një fenomen i ri. Në qeverisjen e kaluar bankat janë grabitur 32 herë. Grabitjet kanë qenë të organizuara me një ndihmë nga brenda këtyre institucioneve. Suksesi i grabitjeve edhe nga sistemi mizerabël i sigurisë. Policia e Shtetit ka zbardhur plotësisht qoftë rastin e bujshëm të Rinasit, qoftë të bankës në qendër të Tiranës. Janë arrestuar disa autorë dhe disa të tjerë në kërkim. Policia e Shtetit jo vetëm që nuk ka gisht në grabitjen e bankave, por ka kërkuar nga bankat marrjen e masave për sigurimin e zinxhirit të brendshëm të tyre. Në rastin e fundit vonese në lajmërimin e policisë”, tha Rama.

[fbvideo link=”https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10154466365456523/” width=”500″ height=”400″ onlyvideo=”1″]

FJALA E PLOTË E KRYEMINISTRIT EDI RAMA
Këtë javë u grabit një bankë. U hodh menjëherë përpjetë e gjithë lukunia e zellshme e luftës kundër reformave dhe vetë kësaj qeverie që po hedh bazat për të bërë shtet në Shqipëri. Nuk lanë gjë pa thënë, madje edhe gjëra që s’i kishim dëgjuar kurrë. S’ka dyshim që grabitja e një banke përbën lajm, kudo, edhe në Itali, edhe në Angli, edhe në Francë por askush, as opozita dhe as nga gazetarët nuk i turren qeverisë dhe policisë pse grabitet një bankë, sado spektakolare të jetë grabitja, siç bëjnë këtu shquparët dhe shqytarët e tribunave politike apo pllajave dhe kthinave mediatike. K

u bën vaki të sulmohen me tërbim qeveria e policia si të ishin organizatorë apo autorë të grabitjes së një banke. Kjo ndodh vetëm në pisllëkun politik e mediatik ku janë të zhytur deri në fyt kundërshtarët pa din dhe komentatorët pa iman të reformave tona, tellallët e pandreqshëm të së shkuarës dhe avokatët e paskrupullt të të varfërve që majë foltores së Kuvendit apo prej banakëve e prej sokakëve të medias rreken si të marrë të krijojnë me pahirin e shpifjeve, gënjeshtrave, akuzave pa cak një panoramë zymtish e llahtarish për të mërzitur e çoroditur njerëzit e zakonshëm sa të munden, ku të munden, si të munden.

Por, cilat janë faktet në të vërtetë?
Kanë ndodhur disa grabitje të kësaj natyre vitet e fundit, të cilat natyrisht nuk janë fenomen i ri sepse le ta kujtojmë që në kohën e qeverisë së vjetër bankat janë grabitur 32 herë. Megjithatë kjo e krahasimit me të shkuarën është një temë tjetër. Në këto raste ashtu si dhe në rastin e fundit, grabitjet kanë qenë qartësisht të organizuara me një ndihmë nga brenda këtyre institucioneve që kanë rënë viktimë. Suksesi i grabitjeve ka qenë i lidhur edhe me sistemin mizerabël sigurie dhe me refuzimin e pajustifikueshëm për të zbatuar masat e sugjeruara në mënyrë të përsëritur nga Policia e Shtetit.

Duhet nënvizuar këtu se Policia e Shtetit ka zbardhur plotësisht qoftë rastin e bujshëm të Rinasit, qoftë atë të bankës së grabitur këtu në qendër të Tiranës. Tanimë janë arrestuar disa autorë dhe janë në kërkim disa të tjerë. Hetimet e kanë provuar katërcipërisht, rast pas rasti që Policia e Shtetit jo vetëm që nuk ka kurrfarë gishti në grabitjet e bankave sikundër akuzojnë në kor, levantinët e zullumqarët por prej kohësh policia ka kërkuar qoftë nga bankat dhe qoftë nga Rinasi marrjen e masave për garantimin e zinxhirit të brendshëm të sigurisë së tyre.

Ashtu sikundër, në secilin prej rasteve edhe në këtë rastin e fundit, masat e kërkuara të sigurisë rezultojnë që të mos jenë marrë. Jo vetëm lajmërimi i policisë për ngjarjen është bërë në rastin e fundit me një vonesë krejtësisht të pajustifikueshme, por qoftë niveli i rojeve të sigurisë private, qoftë standardet e kërkuara për automjetet e transportit të parave, qoftë sigurimi i gjurmueshmërisë së kasave të parave përmes sistemit GPS, qoftë edhe thjesht shtypja e butonit të alarmit nga shoferi i automjetit të bankës në momentin e sulmit mbi automjetin nuk rezultojnë gjëkundi që të jenë mbajtur parasysh.

Atëherë a ka mundësi që një mendje normale ta kuptojë se si është e mundur që në këto kushte indiferentizmi nga ana e këtyre institucioneve, le të kujtojmë që rojet paguhen 200 mijë lekë të vjetra në muaj, të mund të fajësohet Policia e Shtetit për grabitjen.

Policia e Shtetit, jo në Shqipëri por asgjëkundi s’ka shans ta ndalojë në flagrancë autorin apo një grup autorësh për një krim të kësaj natyre nëse banka nuk merr asnjë nga masat parandaluese të kërkuara, që vetë policia ia kërkon me ngulm prej kohësh dhe në mënyrë të përsëritur. Ç’mund të bëjë më shumë një polici e një shteti, kur madje banka nuk është e përgatitur as aq, sa të paktën të lajmërojë menjëherë, në çast policinë.

Në Gjermani u krye për festën e Krishtlindjeve një akt terrorist që tronditi mbarë botën, mu në zemër të Berlinit. Autori jo vetëm nuk u kap dot në flagrancë por u arrestua ditë më vonë, madje në një shtet tjetër.

Ama askush, absolutisht askush, as opozitarët e as gazetarët nuk vrapuan që të sulmojnë egërsisht policinë e Shtetit dhe qeverinë si fajtorë që nuk u kap në çast terroristi. Ndërsa këta tallagjarët tanë këtu vrapuan që në sekondën e parë që t’i nxjerrin fundin kazanit të llafeve, vetëm e vetëm për ta mbuluar me llum Policinë e Shtetit.

Kjo barbari politike me gjithë bishtat e vetë mediatikë është e pashoqe dhe e paturpshme. E pashoqe sepse askund tjetër nuk bën vaki ky shpërthim llumnaje sa herë që ndodh diçka dhe e paturpshme sepse zëdhënësve të kësaj barbarie jo vetëm që nuk u djeg asgjëkundi arsyeja dhe as që u intereson gjëkundi zgjidhja e problemeve por as që e fshehin dot se ekzaltohen e u ndizen sytë flakë dhe u bën gjuha zjarr kur ndodh një krim, aksident e fatkeqësie çfarëdolloji

dhe ata turren si të verbër me benzinën e shpifjeve, gënjeshtrave, akuzave ekstreme për t’ua djegur sa të munden shpirtin qytetarëve të shqetësuar nga një ngjarje.

Ju jeni dëshmitarë se qysh nga dita e parë e qeverisjes nuk janë mbushur një ditë e vetme pa sulmuar policinë dhe ministrin e Brendshëm si dhe për të baltosur atë. Për këtë qeveri që sulmohet me tërbim vetëm për fajin e madh se po përpiqen për të bërë shtet dhe një polici shteti që jemi dëshmitarë të gjithë ka qenë për 25 vite rresht thjesht hije të vetvetes.

Policia e Shtetit sot nuk është rastësisht institucioni më i besuar i shqiptarëve në çdo anketim lokal e ndërkombëtar dhe jo rastësisht sulmohet sot më egërsisht gjatë këtyre 25 viteve. Policët shtynin rrugëve makinat e tyre të mbetura pa karburant. Jo rastësisht ky sulmi pandalur asnjë ditë diskutohet nga ata që kishin 25 vite kohë për të bërë shtet dhe bënë çnuk bënë, por vetëm shtet nuk bënë. Jo rastësisht ata që sulmojnë sot policinë e shtetit janë po ata që sulmojnë vettingun.

Janë po ata që sulmojnë reformën në drejtësi dhe kanë tmerr vendosjen e një drejtësie të re. Nuk ka dyshim se edhe afrimi i zgjedhjeve do ta çojë në nivele të reja tërbimin ndaj policisë dhe ndaj kësaj qeverie. Por nuk do ndalin dot as policinë e shtetit dhe policinë në rrugën e reformave për të rilindur Shqipërinë.

Tërbimi do ju rritet bashkë me ankthin që ju thotë se humbja e zgjedhjeve do jetë edhe humbja e shansit të fundit për ta kthyer përmbys reformën në drejtësi si dhe për të shpëtuar nga fshesa e Vettingut prokurorët dhe gjykatësit e korruptuar që ua kanë mbajtur mbyllur puset e zeza të zullumeve të tyre të mëdha në vitet e qeverisje së vjetër. Nuk ka diskutim se nde kemi ende shumë për të bërë dhe lufta ndaj krimit dhe drogës duhet ta çojmë në një stad të ri. Jemi zotuar se ne një dekadë Policinë e Shtetit ta afrojmë me qytetarin deh ta ndajmë nga e kaluara e ryshfetit. Jemi zotuar s enë një dekadë policia e shtetit do jetë me e mira në rajon dhe në mesataren e BE.

(m.k/d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: