SARANDE– Kryeministri Edi Rama ishte sot në Sarandë, në Forumin për ‘Ligjin e ri për minoritetet’.

Kryeministri Rama u shpreh në fjalën e tij se, minoritetet janë pasuri shoqërore e kulturore e një vendi dhe minoritarët grekë në Shqiperi janë e do të jenë në shtepinë e tyre; me liri, të drejta e detyrime të barabarta me shqiptarët.

Sipas kreut të qeverisë, cilido që do të mundohet ta përdorë minoritetin grek si urë zjarri për qëllime politike është i dënuar të dështojë.

Duke u shprehur se akuzat ndaj tij janë politike, kryeministri Rama u shpreh: “Jam shqiptar, nuk jam antigrek”.

Kreu i Qeverisë u ndal edhe tek rëndësia e zbatimit të reformës në drejtësi.

“Të fillojmë zbatimin e reformës në drejtësi nga vettingu, i cili është i rëndësishëm për shqiptarët e minoritarët. Ligji i vettingut është nevojë dramatike e të sotmes. Por çfarë bën në çadër Vangjel Dule, pse nuk voton vettingun? Problemi i pronave, vjen nga gjykatësit e korruptuar. Që të ketë garanci për pronat, duhet zbatimi i reformës në drejtësi”, u shpreh kryeministri.

Rama theksoi se, vëllazëria tradicionale mes qytetarëve të zakonshëm shqiptarë e minoritarë, është busulla e politikës sonë ndaj minoritetit.

“Apostulli Pal, e shihte të përkryer një bashkësi njerëzish në minoritet. Minoritet nuk duhen të shkëputen nga bashkëjetesa. Dinjiteti nuk mund të negociohet, duhet përforcuar bashkëjetesa”, tha Rama.

“Në një bashkësi ku prania minoritetit është pasuri, dinjiteti i minoritarëve nuk është një çështje e tyre, por është një çështje e shtetit ku ata jetojnë. Kjo është një kredo që na vjen nga historia e thjeshtë dhe e përbashkët e fshatrave, ku shqiptarët dhe minoritarët kanë jetuar si vëllezër pa pasur problem dhe ku kanë ndarë barrën e shqetësimeve dhe gëzimet me njëri tjetrin”.

Kryeministri Rama tha se, “Projekti për pakicat kombëtare është një premtim i mbajtur i qeverisë”.

“Shqipëria ka një legjislacion të përparuar për minoritetet krahasuar me Rajonin. Kjo është vlerësuar edhe në raportin e fundit të Komisionit Europian”, deklaroi Rama.

Kryeministri Rama foli edhe për ligji e ri për minoritetet, i cili shtoi Rama e bën Shqipërinë kontribuese shëmbullore në rajon për harmoninë ndëretnike.

“Që nga viti i shkuar institucionet shqiptare, në bashkëpunim me institucione të pavarura apo ekspertë u angazhuan për projektligjin e ri për mbrojtjen e minoriteteve. Jam i bindur për efektet pozitive të këtij ligji”, tha Rama.

Kryeministri ka saktësuar më tej se, ligji i ri do të garantojë të drejtat arsimore të pakicave dhe se në këtë drejtim do të shihet mundësia e hapjes së zyrës arsimore për minoritetet e Dropullit dhe Finiqit.

Gjithashtu, “do krijohet një fond i posaçëm për pakicat kombëtare, që do bëjë të mundur realizimin e projekteve sociale për to”, ka shtuar Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se ka një përpjekje për të thënë se vetëm minoritarët kanë problem me shkollat, apo pronat. Ndërkohë që kjo gjë është njësoj si për minoritarët dhe për të gjithë qytetarët e tjerë. Prandaj duhet bërë reforma në drejtësi, pasi janë të gjithë viktima të disa gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe një sistemi të korruptuar drejtësie. Shqipëria duhet të shpëtojë njëherë e mirë nga kthetrat e këtyre njerëzve që i kanë bërë këtij vendi atë që s’ia ka bërë asnjë pushtues dhe as diktatura. Lëvizjet e trojeve i kanë shkaktuar ata, gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuari”.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: