Kryeministri, Edi Rama do të jetë i pranishëm sot në darkë në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër për të ndjekur live ndeshjen e futbollit Kosovë-Kroaci, e vlefshme për Botërorin “Rusi 2018”. Bashkë me të raportohet se në stadium do të jetë edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Burime zyrtare nga kryeministria pohuan për “BalkanWeb” se Rama do të ndjekë nga afër ndeshjen në Shkodër, ku mijëra tifozë kanë mbushur rrugët dhe lokalet. Mësohet se fill pas seancës parlamentare ai do të niset me urgjencë drejt ‘metropolit’ të Veriut për të parë nga afër sfidën e Kosovës përballë Kroacisë. Ajo që nuk konfirmohet ende është fakti nëse Rama do e respektojë apo jo kërkesën e Federatës së Futbollit të Kosovës për të mos hyrë në stadium me simbolet kombëtare kuqezi.

 

Më herët kryeministri, Edi Rama ka postuar në rrjetin social “Facebook”, një foto ku duken dy të rinj, njëri me shall me simbolin e Kosovës dhe tjetra një vajzë me simbolet e Shqipërisë. “Mirësjevjen Kosova sonte në Shkodër. Rruga e mbarë Shqipërisë në Lihtenshtein. Një mbrëmje zemrash kuqezi për dy skuadrat që do të lidhin kombin përpara ekranit kudo ku jetojnë shqiptarë. SUKSESE JEMI TË GJITHË ME JU”, – shkruan Rama. Ndeshja Kosovë-Kroaci nis në orën 20:45 dhe policia ka marrë masa të forta sigurie për mbarëvajtjen e kësaj ndeshjeje futbolli.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb