TIRANE – Kryeministri Edi Rama duket i vendosur për të bërë çdo përpjekje, në mënyrë që reforma në drejtësi të miratohet brenda këtij muaji.

Në një status në faqen e tij në “Facebook”, kryeministri i ka lënë ‘dorë të lirë’ PD-së që të shkruajë si të dojë reformën në drejtësi, mjafton që të marrin miratimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian.

“Një propozim i ri për PD: Shkruajeni vetë si të doni reformën, merrni miratimin e SHBA/BE dhe ne do ta miratojmë pa lëvizur asnjë presje!”- shkruan Rama.

PD KUNDER PROPOZIMIT HIBRID TE SHBA
Demokratët i thanë “JO” propozimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, bërë nga Ndihmës Sekretarja e Shtetit, Victoria Nuland, për reformën në drejtësi dhe si kundërpërgjigje kanë dorëzuar një propozim të ri, përmes të cilit kërkojnë përjashtimin e ndërkombëtarëve nga procesi i vetingut. Amerikanët propozuan që të marrin në dorë drejtimin e Komisionit Ndërkombëtar të Vetingut, por demokratët propozojnë që SHBA dhe BE të mos kenë fuqi vendimmarrëse por vetëm rol vëzhgues në procesin e verifikimit të pastërtisë së figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Sepse siç argumentojnë ekspertët e PD-së, në të kundërt kjo do ta kthente operacionin ndërkombëtar të monitorimit “në një institucion me supra-sovranitet brenda kornizes kushtetuese shqiptare dhe pa përgjegjshmëri demokratik. Ky do të ishte një rast ‘sui generis’ dhe një përjashtim absolut në raport me eksperiencat e vendeve të tjera që kanë hasur probleme po kaq të mprehta me gjyqësorin përpara anëtarësimit në BE, si Rumania apo Kroacia”, – thuhet në argumentet e PD.

Në propozimin e saj të ri, opozita u jep ndërkombëtareve rol vëzhgues. Sipas draftit të saj procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të vetingut duhet të bëhet nga dy komisione parlamentare me përfaqësim të barabartë: njëri me 6 anëtarë, tjetri me 12. Ai me 6 anëtarë shqyrton kandidatët dhe mund të marrë vendime për përjashtimin e tyre bazuar vetëm në prova. Në këtë proces, operacionit ndërkombëtar të monitorimit i është dhënë akses i papenguar, siç thuhet, në çdo veprim që kryen komisioni. Dhe përpara se kandidatët të shkojnë për votim në komisionin tjetër me 12 anëtarë, operacioni ndërkombëtar prodhon një raport për të gjithë procesin, raport i cili u shpërndahet deputetëve përpara se të votojnë në bllok me 2/3-tat, listën e kandidatëve të personave që do të bëjnë vettingun. Në propozimin amerikan ndërkombëtarët kishin fuqi vendimmarrëse për procesin e verifikimit të pastërtisë së figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve, ndërsa ky propozim i përjashton ata nga ky rol.

SHBA-BE: TË ZHGËNJYER NGA PD
Qëndrimi i Partisë Demokratike për të mos pranuar formulën e kompromisit të sugjeruar nga ndërkombëtarët për reformën në drejtësi ka lënë të zhgënjyer ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe delegacionin e Bashkimit Europian në Tiranë. Ambasadori i SHBA-ve, Donald Lu në një prononcim për “NEWS 24”, deklaroi se ajo çfarë ka propozuar opozita nuk është në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias. Në të njëjtën linjë u shpreh edhe ambasada e BE-së.

“Jemi të zhgënjyer me përgjigjen e z.Basha ndaj propozimit hibrid për reformën në drejtësi. Propozuam një zgjidhje në mirëbesim, gjysmën nga qeveria dhe gjysmën nga opozita. Z.Basha propozoi diçka që ai vetë ka pranuar se është në konflikt interesi dhe jo në përputhje me paragrafin 61 të Opinionit Përfundimtar të Komisionit të Venecias”, – tha Lu.

Edhe delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri shprehu dje keqardhjen që Partia Demokratike refuzoi draftin hibrid të bërë publik gjatë vizitës së Ndihmës Sekretares amerikane të Shtetit, Victoria Nuland, në Tiranë. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat thuhet se: “Na vjen keq që lidershipi i PD-së e refuzoi propozimin për kompromis. Besueshmëria e reformës në drejtësi varet përgjithësisht nga besueshmëria e vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Për ta garantuar këtë, një rol i kufizuar specifik i komunitetit ndërkombëtar përmes Operacionit Ndërkombëtar Monitorues është thelbësor. Kjo përputhet plotësisht me Opinionin e Komisionit të Venecias që e parashikon këtë rol për Operacionin Ndërkombëtar Monitorues. Propozimi aktual për kompromis reflekton pozicionin tonë të qartë që komuniteti ndërkombëtar duhet të sigurojë monitorim të fuqishëm për të garantuar besueshmërinë e procesit, përfshirë pre-vetingun e anëtarëve të organeve të vetingut, duke dhënë, sipas rastit, rekomandime negative. Komuniteti ndërkombëtar nuk ka sugjeruar kurrë pasjen e ndonjë pushteti ekzekutiv, meqë është thelbësore që autoritetet shqiptare të ruajnë zotërimin e plotë”, – thuhet në reagimin e delegacionit të BE-së në Tiranë.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb