TIRANE- Kryeministri Edi Rama ka publikuar mbrëmjen e sotme një foto ku tregon për dy familje, njërën që është trajtuar me ndihmë ekonomike në kohën e qeverisjes së PD, dhe një familje që përfiton aktualisht nga skema.

Duke vijuar kështu replikat me kryedemokratin Basha sa i takon skemës së ndihmës ekonomike, përmes fotos ilustruese Rama thotë se gjatë qeverisjes së PD në Vlorë trajtohej me ndihmë ekonomike një qytetar që kishte një vilë.

Ndërsa për krahasim, tregon foton e banesës së një familje që e përfiton aktualisht këtë ndihmë.

POSTIMI I PLOTE
Majtas vila e N.R në Vlorë që deri dje merrte çdo muaj ndihmë ekonomike dhe djathtas shtëpia e R.B po në Vlorë që nuk përfitonte ndihmë ekonomike. Me skemën e re, N.R është përjashtuar dhe R.B, pjesë e komunitetit rom, është përfshirë në skemë.

Që N.R nuk kishte nevojë për ndihmë, kjo shihet qartë nga fotot. Fatkeqësisht, për vite me rradhë, N.R. padrejtësisht merrte pagesën që në fakt duhet t’i shkonte R.B prej vitesh.

Specialistët e Shërbimit Social Shtetëror, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale si edhe të Bankës Botërore po kryejnë të gjitha verifikimet e nevojshme për të rivlerësuar çdo gabim të sistemit. Ndërkohë, bashkive u është dyfishuar fondi, nga 3% në 6%, për të përfshirë në skemë në mënyrë të drejtpërdrejtë familje që nuk përfitojnë nga skema kombëtare.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb