TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për France24 gjatë vizitës në Paris ku ka folur për çështjet e brendshme të Shqipërisë, situatën politike por edhe BE-në, sigurinë dhe rajonin.

Ai është pyetur për protestën e opozitës dhe tha se Shqipëria është një vend me demokraci të re dhe ka ende për të mësuar.

“Unë mund t’ju them vetëm se jemi një demokraci e re dhe kemi ende për të mësuar dhe për të ngritur instrumente për një komunikim normal midis njerëzve dhe partive politike, pa asgjë dramatike”, tha Rama.

I pyetur për reformën në drejtësi dhe kundërshtimet e opozitës, kreu i qeverisë tha se kjo është një situatë paradoksale dhe se kemi ardhur në pjesën më të vështirë të zbatimit të saj.

“Në fakt është disi paradoksale, rrallë ndodh që një qeveri të përcaktohet për një reformë radikale në drejtësi shumë të rëndësishme siç e thatë ju dhe të lidhur me korrupsionin në nivele të larta dhe opozita të jetë kundër.
Është një reformë që e kemi nisur në harmoni me misionin e drejtësisë së BE-së dhe atë të SHBA-së, të mbështetur me shumë ekspertë dhe eksperienca në gjitin e BE për reforma të tilla në vende të tjera që kanë dalë nga komunizmi dhe pasi kemi bërë ndryshime edhe në Kushtetutë për një drejtësi të pavarur në Shqipëri kemi ardhur tek pjesa më të vështirë për t’u gëlltitur për fat të keq nga disa, vettingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve”, tha Rama.

Për sa i përket akuzave të opozitës se qeveria do të kapë drejtësinë, kryeministri u shprej: “Jo, nuk besoj se BE dhe SHBA si partnerë strategjikë të Shqipërisë do kishin pranuar një reformë apo cilidoqoftë që do të vinte dorë mbi drejtësinë. Pastaj me ndryshimet në Kushtetutë dhe në legjislacion opozita zgjedh 50% për komisionet e kontrollit që janë një filtër shumë-shumë i imët për gjyqtarët e prokurorët që duhet të justifikojnë veprimet e dënueshme që kanë bërë gjatë karrierës së tyre. Është një strukturë shqiptare nën monitorimin e gjykatësve dhe prokurorëve europianë dhe amerikanë”.

Lidhur me korrupsionin kryeministri tha se “në Shqipëri jemi të gjithë të akuzuar prandaj kemi nevojë për një drejtësi të pavarur për t’i dhënë fund shpifjeve”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: