BERAT– Gjatë vizitës së tij dyditore në qytetin e Beratit, kryeministri Edi Rama e ka cilësuar këtë qytet si potencial për zhvillimin ekonomik të vendit, pasi është mjaft i përshtatshëm për zhvillimin e turizmit dhe agroturizmit.

Duke prezantuar portofolin e projekteve për qarkun dhe sfidat e zhvillimit ekonomik dhe social të zonës së Beratit, kreu i qeverisë Edi Rama, u shpreh se gjatë vitit 2017 qyteti i Beratit ka prekur një shifër rekord turistësh, falë edhe programit të “Rilindjes Urbane”, i cili sipas tij nuk është një program fasadash, por një program i zhvillimit ekonomik.

“Në vitin 2017 u shënua një shifër rekord turistësh për Beratin, një shifër që vetëm do të shkojë në rritje, si një provë kuptimplotë e të vërtetës së thjeshtë që programi ynë i rilindjes urbane këtu në Berat ka pasur një gravitet të rëndësishëm. Nuk është një program zbukurimesh, nuk është një program fasadash, por një program i zhvillimit ekonomik, është një program që i hap rrugë zhvillimit të industrisë më të rëndësishme për të nesërmen e vendit tonë që është turizmi. Një program që stimulon adresimin e potencialit më të madh që ka qarku i Beratit që është turizmi”.

Kryeministri Rama, gjatë fjalës së tij u bëri thirrje të gjithë biznesmenëve që të investojnë në agroturizëm, pasi ka rezultuar e suksesshme në rajon, duke premtuar se ata të cilët do të investojnë do të kenë edhe lehtësira nga taksat.

“Në Berat shikojmë potencial në zhvillimin e agroturizmit. Në javët në vijim ne do të lançojmë edhe incentivat, pra lehtësimet nga taksat për të gjithë ata që do të investojnë në agroturizëm. Ata të cilët do të investojnë në agroturizëm do të marrin edhe lehtësimet e tyre nga taksat. Ne jemi duke përfunduar këtë projekt, në pak javë do ta bëjmë shumë të qartë, dhe thirrja ime për sipërmarrësit që kanë para mënjanë, dhe që tradicionalisht i kanë investuar në pallate ose në blerje apartamentesh është që të shikojnë agroturizmin, të shikojnë këtë rrugë të re të stërprovuar dhe provuar në vendet fqinje, si Italia dhe Greqia, se është një industri suksesi.
ram
Rama: Berati ka përfituar 235 projekte në periudhën që ne po qeverisim
Investimet konkrete në qarkun e Beratit, ishte një nga çështjet që kryeministri ndau me të pranishmit, duke theksuar se qeveria shqiptare ka financuar 104 projekte në infrastrukturën rrugore për këtë qark.

“Berati ka përfituar 235 projekte në këtë periudhë që ne po qeverisim dhe peshën më të madhe të financimit të brendshëm nga qeveria e zë infrastruktura rrugore, ku janë financuar 104 projekte.

Tek rruga e re që është në ndërtim e sipër dhe në disa pjesë të saj ka përfunduar duke lidhur, Cërrikun, Belshin, Urën Vajgurore dhe Kuçovën, ku janë 35 km rrugë, e cila do të reduktojë ndjeshëm rrugën e Beratit me Tiranën, duke e bërë shumë më shpejt nëpërmjet Elbasanit, duke kaluar tek një sërë rrugësh të tjera më pak të dukshme për nga madhësia, por shumë të rëndësishme për komunitetin”.

Rama: Në bashkëpunim me qeverinë zvicerane do të ndërtojmë landfillin e ri
Banorët e Beratit do të kenë edhe një landfill të ri, i cili do të ndërtohet me fonde të qeverisë zvicerane dhe asaj shqiptare.

Kryeministri Rama komentoi edhe një foto, e cila tregonte hedhjen e plehrave pa kriter, duke u shprehur se ata të cilët lanë plagë të hapura për shumë vite, fluturojnë mbi gjithë këto plagë tamam si zogjtë e korbit.

“Është shumë interesant fakti se ata të cilët i lanë plehrat rrugëve për shumë e shumë vite, ata që lanë guroret pa kontroll për shumë e shumë vite, ata që lanë shumë plagë të hapura për shumë e shumë vite, ata që i lanë shumë plagë të hapen për shumë e shumë vite duke shkuar deri te plaga e madhe e familjeve që jetojnë me ndihme ekonomike sot janë ata që fluturojnë mbi gjithë këto plagë tamam si zogjtë e korbit, për të tronditur miletin, ndërkohë që njerëzit nuk janë aspak budallenj dhe kush i merr për budallenj gjithmonë paguan në fund.

Njerëzit e dinë që këto janë situata të trashëguara që ne po i adresojmë. Në bashkëpunim me qeverinë zvicerane do të adresojmë edhe problemin e plehrave. Ai mal me plehra që është njëzet e kusur vjeçar dhe në vend të tij do të krijohet një zonë ku mbetjet do të trajtohen sipas standardeve”.

Rama premtoi se brenda këtij mandati do të ndërtohet dhe spitali i Beratit.

Rama shtoi se është nënshkruar një kontratë me kompaninë SHELL në zonën e Shpiragut, ku eksplorimet do të shtrihen edhe në bllokun 4 dhe nëse rezultatet do të jenë kuptimplota, pasi është zbuluar naftë e cilësisë e lartë, Shqipëria do të pozicionohej në një tjetër nivel në vendet që kanë burime gaz dhe naftëmbajtëse.

Investime për përmirësimin me energji elektrike në Berat
Gjiknuri tha se të gjitha këto xhevahire që i ka dhënë natyra dhe historia Beratit, duan të dalin në pah përmes zhvillimit të infrastrukturës.
gik
Ministri Gjiknuri bëri të ditur se në qarkun e Beratit janë investuar një sërë projektesh në sektorin energjetik, të cilat do të përmirësojnë ndjeshëm furnizimin me energji elektrike.

“Në nënstacionin e Çorovodës, përtej nënstacionit të OSHEE-së, në këtë rajon janë investuar edhe 360 milionë lekë për të përmirësuar cilësinë e furnizimit me energji elektrike në Berat dhe Kuçovë”.
Ministri Gjiknuri garantoi se në tre vitet e ardhshme do të investohet për linjën e tensionit të ulët në Kuçovë, linjën e tensionit të mesëm e të ulët në Berat, si dhe ndërtimin e dy fiderave 20 kilovolt.
Edhe OSHEE, tha ai, ka planifikuar një investim prej 300 milionë lekësh, që fillon në mesin e këtij vitit dhe përfundon në 2019, duke rritur cilësinë e furnizimit për Kuçovën.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb