BRUKSEL- “Nuk po kërkojmë një favor, nuk po kërkojmë një dhuratë, nuk po kërkojmë një shprehje tjetër, përveçse afirmimit të asaj që meritojmë, hapjen e negociatave”.

Kështu ka deklaruar kryeministri Edi Rama nga Brukseli. Ai tha se “shpresojmë dhe besojmë që Komisioni të jetë i drejtë me Shqipërinë dhe të bëj një rekomandim të qartë dhe pastaj sigurisht mbetet beteja diplomatike për të bindur çdo vend anëtar dhe për të bërë çmos që problematika të ndryshme, brenda vendeve të mos kthehen në një arsye që të penalizohet Shqipëria”.

Duke folur për reformën në drejtës, kryeministri deklaroi se ka dhënë rezultatet e para dhe se 17 pesha të rënda të sistemit të drejtësisë janë tërhequr.

“Tanimë janë rezultatet që kanë filluar të flasin për reformën në drejtësi. 17 pesha të rënda të sistemit janë tërhequr vetë, nuk kanë shkuar në procesin e vettingut. Dëgjesat, në dijeninë time, fillojnë këtë javë dhe të tjerë do të përballen me procesin e vettingut. Pra pastrimi i sistemit ka nisur”, u shpreh Rama.

Shefi i qeverisë tha më tej se do të donte të ishte në Bruksel bashkë me kreun e PD-së Lulzim Bashën, duke e vlerësuar pjesëmarrjen e opozitës në këtë proces me shprehjen “më ka çuar nana me la gojën”.

“Do të kishte qenë vërtetë e mrekullueshme që të ishim këtu së bashku me kryetarin e opozitës sikundër e patëm biseduar në mbrëmjen e gjatë të 17 majit, por për fat të keq kjo nuk ka ndodhur dhe do të na duhet që boshllëkun e madh që ka krijuar opozita dhe posaçërisht PD në këtë proces, ta mbushim me forcat tona.
Nuk dua të bëj komente për opozitën. Opozita zgjedh dhe vendos atë që sheh më të arsyeshme. Populli sheh dhe gjykon, përfshirë dhe votuesit e opozitës, por dua të them që mungesa e opozitës në këtë proces apo disa deklarata të llojit ‘më ka çuar nana me la gojën’, janë vërtetë për të ardhur keq”, deklaroi Rama.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: