VLORË- Kryeministri Edi Rama ishte sot në Vlorë ku ka shpërndarë rreth 500 leje të reja legalizimi. Kryeministri Rama tha se, “legalizimet falas, janë një histori suksesi që po zhvillohet me ritëm dhe përgjegjësi”. Kryeministri Rama tha se vota e qytetarëve mundësoi marrjen e legalizimeve.
“E prisnit nga Saliu, të mirën e gjetët nga unë. E bëri vota që sot të keni legalizimet’, tha Rama.

Kryeministri ka folur edhe për nevojën e vettingut në Shqipëri, duke theksuar se nuk mund të ketë të ardhme pa pastruar mbetjet e 25 viteve.
“Sa më shumë të vonohet vettingu, aq më keq është. Nuk ka të ardhme pa pastruar mbetjet e 25 viteve. Na duhet sistem drejtësie, na duhet ligji i vettingut. Vrasje, grabitje, sepse Gjykatat liruan kriminelët. Gjykatat refuzojnë provat e policisë. Lirojnë kriminelët të cilët vijojnë krimin pasi dalin”, tha Rama.

Rama u shpreh se gjatë qeverisjes së vjetër për 8 vite u bënë 21 mijë legalizime prej të cilave 85% ishin biznese, ndërsa vetëm në 30 muajt e fundit janë bërë115 mijë legalizime prej të cilave 90% janë shtëpi.

Kryeministri Rama ka kritikuar hipotekat se vonojnë dhënien e titujve të pronësisë pa arsye.
“Keni ende probleme me hipotekat që shpesh herë i vonojnë dhënien e titujve të pronësisë pa arsye, dhe përfitoj nga rasti që dhe njëherë tu them se këto janë edhe arsyet pse ne kemi ende shumë për të bërë dhe pse ne jemi kokëulur përpara njerëzve pasi të gjitha ato që kemi arritur nuk janë arsye për të rrahur gjoksin para popullit, por për t’i thënë njerëzve që duam të vazhdojmë këtë rrugë pasi drejtimi ynë, jo vetëm është drejtim i duhur, por i vetmi drejtim për të ndryshuar njëherë e mirë Shqipërinë dhe për të bërë shtet”, tha Rama.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: