TIRANE- Kryeministri Edi Rama, thekson se Shqipëria nuk do verë veton në NATO për Maqedoninë, por kërkon zbatim të Marrëveshjes së Ohrit, si një element me rëndësi për sigurinë dhe paqen në rajon. Në një intervistë për televizionin maqedonas “Telma”, kreu i qeverisë shqiptare është shprehur se zbatimi i kësaj marrëveshje është me rëndësi për bashkëpunimin mes shqiptarëve dhe maqedonasve.

“Shqipëria nuk do të vendosë veto. Zbatimi i marrëveshjes së Ohrit është thelbësor për forcimin, stabilitetin dhe prosperitetin e Maqedonisë. Zbatimi i kësaj marrëveshjeje është përgjegjësi e partisë në pushtet. Është themelore për të pasur harmoni mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Ne jemi të interesuar të shohim një Maqedoni të fortë e të sigurt. Në fakt kjo është e rëndësishme për të gjithë rajonin”, u shpreh kryeministri.

Rama u pyet edhe për ngjarjen e rëndë në Kumanovë. Ai theksoi se është i domosdoshëm një hetim i pavarur e transparent, çka do të ishte ndihmë për të gjithë rajonin.

“Po kështu është e rëndësishme që të ketë një hetim të pavarur dhe transparent. Kjo do ta bënte Maqedoninë më të qëndrueshëm për të prezantuar rezultatin lidhur me këtë çështje. Kjo e bën më të qëndrueshme edhe situatën në Maqedoni”, u shpreh Rama.

(b.e/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb