ELBASAN- Kryeministri Edi Rama ka hedhur akuza të forta ndaj sistemin gjyqësor në vend. Nga Universiteti i Elbasanit ku ka zhvilluar një leksion të hapur me studentët, kreu i Qeverisë është shprehur se “pushtetin në drejtësi sot e kanë kriminelët”.

Teksa ka theksuar se reforma në drejtësi do të përmbysë sistemin, Rama tha se në vitet e kaluara ndërhyrjet e bëra nuk kanë qenë reforma por arnime të sistemit.

“Janë bërë reforma në vendin tonë, por vetëm emrin kanë patur të tillë. Pasi kanë qenë arnime të sistemit, dhe vendi ka vijuar në tranzicion, ku peshën e kanë mbajtur individët. Ndërsa reforma në drejtësi synon të përmbysë krejt sistemit”, tha Rama.

Kreu i Qeverisë tha se vetëm një sistemin solid drejtësie sjell stabilitet në vend, ndërsa u shpreh se vonesa na zbatimin e reformës është i dëmshëm.

“Asgjë nuk justifikon vonesën në zbatimin e reformës. Pushtetin në drejtësi sot e kanë kriminelët. Ka gjyqtarë që punojnë për interesat e krimit. Tani që flasim një vrasës apo grabitës po lihet i lirë. Pronat e shtetit trajtohen nga gjykatat si mall pa zot. Në momentin kur gjykatësve u është shfaqur kjo mundësi, është e logjikshme që këta të japin çdo të duan, me kusht që të marrin pjesën e tyre. Po a mund të rrinë më këta gjykatës në sistem? Këta duhet të ikin, jo se e vendos qeveria, apo qytetarët, por sepse e kërkon ligji që tashmë është miratuar për vettingun. Këta gjykatës duhet t’i nënshtrohen vettingut. Duhet të skanohen se si e kanë vënë pasurinë këta gjyqtarë”, tha Rama.

Prej disa ditësh opozita ka bojkotuar punimet e Kuvendit dhe të komisioneve parlamentare, duke vijuar protestën e nisur më 18 shkurt, me kërkesën për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira e të ndershme.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb