TIRANE- Kryeministri Edi Rama ka mbledhur në një takim paraditen e sotme, deputetët socialist të Komisionit të Ligjeve. “BalkanWeb” mëson se në mbledhjen e sotme që ka zgjatur rreth 90 minuta, është diskutuar për pikat e rëndit të ditës për seancën plenare të 30 nëntorit.

‘BalkanWeb’ raporton se në fokus të takimit ishte zgjedhja e një kryeprokurori të përkohshëm, si dhe shkarkimi i kreut të KQZ-së, Klement Zguri.

Këtë të enjte, 23 nëntor, nuk do të ketë seancë plenare, pasi Kuvendi do të mblidhet më 30 nëntor për të diskutuar nen për nen buxhetin e vitit 2018. Duket se po gjatë kësaj seance, mazhoranca do t’i shkojë deri në fund iniciativës së nisur për shkarkimin e kreut të KQZ-së, Klement Zguri.

Burime për “BalkanWeb” thonë se po më 30 nëntor pritet të mblidhet Konferenca e Kryetarëve për shkarkimin e Klement Zgurit si anëtar i KQZ-së për shkeljen e Kodit Zgjedhor dhe ligjit të Dekriminalizimit.

Pas kësaj do të shpallet vakanca për kryetar të KQZ dhe do të hapet gara për kryetarin e ri.

Pritet që konferencës t’i propozohet si pikë për rend dite të seancës së 30 nëntorit, pikërisht propozimi për shkarkimin e Klement Zgurit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: