TIRANE- Pas deklaratës së kreut të PD-së Lulzim Basha lidhur me raportin e FMN për situatën ekonomike në Shqipëri, vjen reagimi nga ministri i Financave Arben Ahmetaj. Ky i fundit përmes një statusi në faqen e tij të ‘Facebook’ ka ironizuar Bashën se ai jo vetëm që nuk e njeh tabelën e shumëzimit por edhe e lexoi raportin si një analfabet.

Ahmetaj pohoi se raporti i FMN është shumë serioz, ndërsa aty sipas tij janë të qarta arritjet e padiskutueshme dhe sfidat e pamohueshme të ekonomisë së Shqipërisë.

Në një dalje publike për mediat lideri i PD-së e cilësoi raportin e FMN-së një kambanë alarmi për ekonominë shqiptare. Sipas tij, FMN-ja ngriti shqetësimin e borxhit publik, që sipas Bashës shkon deri në 82% të PBB, pra në nivele alarmante, siç tha ai. Po ashtu Basha theksoi se Rama ishte marrë peng nga PPP-të, nuk janë gjë tjetër veçse forma të pastrimit të parave.

REAGIMI I AHMETAJT
Që Lulzim Basha nuk e njeh mjaftueshëm as tabelën e shumëzimit, ky është fakt botërisht i njohur! Që Lulzim Basha ngatërrohet edhe kur flet për paratë e partisë së tij, këtë e tregoi më së miri numri i shpjegimeve kontradiktore që dha publikisht për financimet ruse të fushatës së tij kundër Shqipërisë nëpër botë! Po që Kryetari i Opozitës ta lexojë publikisht raportin e FMN-së, si një analfabet që nuk ndjek dot as fillin e abetares, kjo shkon përtej Lulzimit si simbol paaftësie individuale e budallallëku politik dhe rëndon qenësisht vetë institucionin e opozitës! Dhe ky është tanimë një problem i madh shoqëror, jo thjesht një boshllëk i madh politik në shoqëri.
Raporti i FMN është shumë serioz për një qenie kaq jo-serioze sa c’është opozita sot. Në raport janë të qarta arritjet e padiskutueshme dhe sfidat e pamohueshme të ekonomisë së Shqipërisë sot, e cila rritet në mënyrë të qendrueshme dhe nuk ka lidhje as me fjalën “krizë” e as me fjalë të tjera të përdorura rëndom në fletërrufetë e përditshme të Partisë Demokratike e të kryetarit të saj. Ngushëllime të sinqerta asaj partie, prej të cilës nuk kemi pritur ndonjë gjë të madhe, por që na befason përditë me brockullat e mëdha që prodhon për një konsum publik gjithnjë e më në rënie!
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: