NGA IV KALOCI*

*Raporti i fshehtë i Lidhjes së Shkrimtarëve për piktorin e njohur më 1970
*”Mbledhja, 14 vetë e kritikuan, 5 e mbrojtën. Piktori R. Karanxha tha: Ju s’doni ta kuptoni”

Për herë të parë “Gazeta Shqiptare” publikon dokumentin sekret të vitit 1970 drejtuar Ramiz Alisë, me raportin e fshehtë të përpiluar mbas mbledhjes së bërë në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, ku u mor në analizë dhe u diskutua piktori i njohur Naxhi Bakalli për tablonë e tij të titulluar “Kur yjet mbushin qiellin”. Si u ‘kryqëzua’ piktori i njohur tiranas në atë ‘diskutim krijues’ nga kolegët e tij, duke u etiketuar si surrealist që kishte nxirë realitetin në tablo, të cilën e kishte pasur si punë diplome. Dhe të gjitha detajet e atij raporti të fshehtë të formuluar nga dy të deleguarit e Komitetit Qendror, i cili mund ta çonte pas hekurave Bakallin, por që Ramiz Alia shënoi: “Dakord, ta heqim nga Tirana dhe ta dërgojmë në një rreth, ku të edukohet me punëtorët dhe fshatarët.”

“PROCESI” NDAJ BAKALLIT
Revolucioni kulturor-proletar që filloi në Republikën Popullore të Kinës në vitin 1966, siç dihet pati një ndikim të jashtëzakonshëm edhe në Shqipërinë komuniste deri në fillimin e viteve ’70. Në këtë kuadër, aplikimi i atij të ashtuquajturi revolucion, u zbatua nga Tirana zyrtare fillimisht mbi Artin e Kulturën, gjë e cila u finalizua me goditjen dhe dënimin e Todi Lubonjës, Fadil Paçramit e Dashnor Mamaqit, të etiketuar apo njohur ndryshe si “Grupi armiqësor në Art e Kulturë”. Por ndërsa kjo gjë u finalizua në vitin 1973-1974, përgatitja e saj kishte filluar që në vitin 1970, gjë të cilën, veç të tjerash, e dëshmon më së miri edhe ky dokument sekret që po publikohet për herë të parë në “Gazeta Shqiptare”, ku ne po botojmë të plotë faksimilen e raportit origjinal që i drejtohej Ramiz Alisë, për dënimin dhe transferimin nga Tirana të një prej piktorëve më të njohur në Shqipëri, Naxhi Bakalli. Në këtë raport, të firmosur nga dy të deleguarit e Komitetit Qendror që mbulonin Artin e Kulturën, kritikat ndaj Bakallit për tablonë e tij “Kur yjet mbushin qiellin”, jo vetëm që janë tejet të forta, por duket që ajo mbledhje, apo siç quhej në atë kohë “diskutim krijues”, mbahej enkas për të kryqëzuar piktorin rebel dhe puna e tij të mos pranohej në ekspozitën që do çelej në Galerinë Kombëtare të Arteve, ashtu siç ndodhi në të vërtetë. Tabloja në fjalë u etiketua si “dekadente dhe e papërshtatshme”, me “nxirje realiteti”, “jashtë kornizave të realizmit socialist”, pasi sipas kolegëve të Naxhi Bakallit që diskutuan në atë mbledhje, e kishte paraqitur aspektin e luftës së rinisë dhe masave ndaj fesë si të butë dhe aspak me tendencat e ashpra të një Revolucioni Kulturor, ashtu siç ndodhi në fakt. Por masa e marrë ndaj Naxhi Bakallit pas shënimit të Ramiz Alisë për heqjen nga Liceu Artistik dhe largimin e tij nga Tirana për t’u edukuar në ndonjë rreth në gjirin e klasës punëtore dhe fshatarësisë kooperativiste, nuk dihet pse nuk u zbatua plotësisht. Por gjithsesi, piktori i njohur tiranas, që në atë kohë vlerësohej në mënyrë unanime nga e gjithë kritika si një nga vizatuesit më të mirë në Shqipëri, do të kishte mjaft probleme, madje shumë serioze.

Kështu, në një album të titulluar “Artet Figurative Shqiptare-Piktura”, botim luksoz i Akademisë së Arteve i vitit 1978, ku paraqiten rreth 250 pikturat më të vlerësuara nga kritika e kohës dhe e aprovuar nga sektori përkatës në Komitetin Qendror, ai nuk figuron fare. Dhe kjo gjë i erdhi pikërisht nga ajo mbledhje e 4 shkurtit të vitit 1970 dhe nga ai raport që po e botojmë të plotë në këtë shkrim. Dhe u desh plot një dekadë që emri i Naxhi Bakallit të dilte disi nga hija apo harresa dhe të figuronte përsëri në listat e Komitetit Qendror. Ishte Pranvera Hoxha, vajza e Enverit, ajo e cila e përzgjodhi atë për të punuar në muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” të Krujës (e projektuar prej saj), në një nga tablotë murale më të mëdha që ishin bërë ndonjëherë në Shqipëri (“Përballimi”, 108 m katrorë), e cila jo vetëm që fitoi Çmimin e Republikës në vitin 1982, por edhe sot e kësaj dite zgjon interes nga kritika e specializuar dhe kureshtje nga të huajt që e vizitojnë atë muze. Por që të vinte deri aty, piktorit Bakalli do t’i duhej të kalonte edhe nëpër mjaft privacione e peripeci si këto që përshkruhen në raportin e mëposhtëm.

Raporti drejtuar Ramiz Alisë nga R.M. dhe I.H.
INFORMACION
MBI DISKUTIMIN E ZHVILLUAR MBI TABLONE E N. BAKALLIT
Më 4 shkurt 1970, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve organizoi një diskutim krijues për tablonë e Naxhi Bakallit “Kur yjet mbushin qiellin”. Diskutimi u organizua me një rreth të ngushtë piktorësh, skulptorësh e kritikësh (rreth 30 vetë), me qëllim që pjesëmarrësit të shprehnin hapur, pa ndrojtje mendimet e tyre, të zbuloheshin anët negative të veprës dhe të ndihmohej shoqërisht autori.
Naxhi Bakalli ka mbaruar Institutin e Lartë të Arteve para pesë vjetëve. Tabloja me të cilën ai mbrojti diplomën u kritikua për dobësi ideore dhe ndikime të huaja. Pas mbarimit të Institutit, ai u emërua pedagog në Liceun Artistik. Në ekspozitat kombëtare të arteve figurative, merr pjesë për herë të parë. Megjithëse kanë kaluar pesë vjet nga mbrojtja e diplomës, puna e paraqitur në ekspozitë nuk është zhveshur nga ato dobësi për të cilat është kritikuar, prandaj dhe nuk u ekspozua. Si temë është marrë lufta e masave punonjëse për rrënimin e bazës materiale të fesë. Në qendër të tablosë autori ka vënë xhaminë, kishën dhe tyrben, të cilat kanë humbur ekuilibrin e tyre. Në planin e parë janë vënë një rresht punëtorësh të kapur dorë për dore. Në të dy anët e tablosë duken turma njerëzish me pllakate dhe flamurë që u kërcënohen me grushte objekteve fetare. Objektet janë dhënë me dimensione të mëdha, që gati mbushin të gjithë hapësirën dhe trajtohen me dashuri, si objekte në vetvete të bukura.

Raporti: Tabloja, sipas modeleve të artit fetar
Ndërsa njerëzit janë dhënë në dimensione të vogla, qosheve të tablosë, të pafuqishëm dhe të trajtuar në një mënyrë primitive, sipas modeleve të artit fetar. Nëpër tablo, në mënyrë simbolike janë vizatuar yje. Këto yje, sipas autorit, përfaqësojnë ideologjinë tonë. Por nga mënyra se si janë trajtuar ata, më tepër të kujtojnë aureolën e shenjtorëve të fesë dhe të krijojnë përshtypjen se u thurin lavdi objekteve fetare. E gjithë tabloja është mbajtur në një harmoni monotone ngjyrash, ku kontrasti midis botës së re dhe botës që zhduket është mbuluar krejt nga një perde e verdhë.

Tabloja është krijuar në një mënyrë të tillë që vëmendja e spektatorit të përqendrohet te mjetet dhe jo te njerëzit. Në këtë mënyrë vepra gjen gjuhë të përbashkët me surealizmin.

Duket qartë se autori është udhëhequr nga kërkesa sintetizante, duke e vënë theksin jo te përmbajtja, por te forma. Objekt i pasqyrimit të autorit, nuk është realiteti ynë. Realiteti në fakt është shndërruar në një mjet për t’i shërbyer një forme të caktuar, të zgjedhur nga autori nën ndikime të huaja. Mjeteve artistike u është dhënë një pavarësi e tillë saqë janë shndërruar nga autori në mani. Tabloja nuk është një dështim profesional, por reflektim i një koncepti të gabuar për artin. Këto mendime tonat për tablonë ne i shprehëm edhe në diskutimin e organizuar për të.

Raporti: 14 vetë e kritikuan Bakallin, 5 e mbrojtën
Në diskutim e morën fjalën 20 vetë: 14 prej tyre kritikuan veprën për dobësi ideo-artistike, 5 e morën nën mbrojtje dhe vetëm një ishte në pozita pak a shumë të ndërmjetme.
Ata që e kritikuan veprën vunë në dukje pak a shumë këto dobësi:
-Nuk ka përputhje midis përmbajtjes dhe formës. Forma që ka përdorur autori nuk komunikon me kohën tonë, prandaj dhe ideja e temës nuk është mbërthyer drejt.
-Trajtimi i temës krijon ide të kundërt nga ajo që ka dashur të thotë autori; duket sikur autori u thur lavdi objekteve fetare, sikur diçka e bukur po shembet.
-Raporti midis njerëzve dhe mjeteve nuk është dhënë drejt. Ndërsa objektet fetare dalin në plan të parë dhe janë paraqitur me dimensione të mëdha, njerëzit dalin në plan të dytë dhe janë paraqitur më tepër si një ornament i tablosë.
-Këndi i vështrimit të autorit është i tillë që të largon nga realiteti, të fut në një botë ëndrrash. Si e tillë, tabloja të lë të ftohtë, nuk ngjall emocione.
-Tabloja është krijuar për të krijuar kënaqësi estetike. Koloriti ka fshehur përmbajtjen? Përleshja midis dy botëve nuk del, është shuar.
-Autori nuk është i qartë dhe i sinqertë në zbërthimin e idesë me mjete artistike.
-Tabloja është zhveshur nga funksioni ideologjik, nuk ka vlera edukative, prandaj u veprua drejt që nuk u ekspozua.

Kritika: Bakalli është ndikuar nga surealizmi
Indirekt u shpreh dhe një mendim se autori është ndikuar nga surealizmi. Ndërsa mendimi i shprehur se autori është munduar të mbështetet në truallin shqiptar, pasi ka shfrytëzuar pikturën islamike, u hodh poshtë. Shumë diskutantë me të drejtë thanë se është gabim të mendohet se piktura islamike ka karakter kombëtar. Artet tona figurative mund të mbështeten vetëm në vlerat e artit popullor. Të mbështetesh në pikturën islamike, në fakt do të thotë të mbështetesh në truall të huaj. Disa nga ata që kritikuan anët negative të veprës, u përpoqën të vënë në dukje edhe disa vlera artistike. Ata thonë se tabloja është e intonuar në kolorit, është kompakte, ka harmoni etj., dhe të kënaq syrin. Për mendimin tonë, ky vlerësim nuk është i drejtë, pasi dihet që vlerat artistike nuk mund të shkëputen nga përmbajtja dhe të veprojnë në mënyrë të pavarur nga ajo. Aq më tepër që forma e përdorur në këtë tablo nuk ka asgjë të përbashkët me kërkesat e realizmit socialist. Ndoshta, ky qëndrim tregon se edhe te këta diskutantë vërehen lëkundje dhe ende nuk kanë formuar koncepte plotësisht të shëndosha lidhur me problemin e së resë në art. Duhet thënë se pati edhe ndonjë diskutant që tërhoqi vëmendjen në faktin se forma nuk mund të ngjallë kënaqësi estetike në qoftë se ajo bie në kundërshtim me përmbajtjen.

Diskutantët që morën në mbrojtje tablonë thanë:
-Është një punë dekorative me përmbajtje popullore. Forma i përshtatet përmbajtjes.
-Rruga që ka zgjedhur autori është e drejtë.
-Puna nuk është kuptuar nga shokët, sepse autori ka përdorur një gjini që nuk njihet në vendin tonë. Çdo autor duhet të ketë gjuhën e vet.
-Ideja është dhënë drejt dhe i është arritur qëllimit.
-Ngjyra është gazmore dhe e qeshur, duke e zbuluar idenë e tablosë, nëpërmjet momentit festiv të ngjarjes.
-Raporti midis objekteve dhe njeriut është i drejtë.
Diskutimi u zhvillua në një frymë shoqërore. Forma e përdorur (diskutim në një rreth të ngushtë) e justifikoi veten. Në përgjithësi diskutimet ishin të shëndosha.
Raporti: Piktori Karanxha prishi atmosferën, se mbrojti Bakallin…
Pati ndonjë diskutant si R. Karanxha, i cili deshi të prishte atmosferën e diskutimit. Ai shprehu mendimin se vepra është e mirë, “por se autorin nuk e kuptojnë, ose nuk duan ta kuptojnë”. “Kundër veprës, – tha ai, – ishin shokët e vjetër në profesion dhe në moshë”. Ai filloi të sulmonte disa autorë, veprat e të cilëve u vunë në ekspozitë, dhe të shprehej se “në ekspozitë janë vënë tablo banale”. Qëndrimi i tij u kritikua.

Në diskutimin e organizuar foli dhe autori i tablosë. Ai në përgjithësi falënderoi shokët. Tha se do të merrte parasysh edhe vërejtjet që do t’i dukeshin të drejta, por u duk qartë se ai nuk u thellua në mendimet e shprehura nga shokët dhe nuk arriti të kuptonte se ndodhej në pozita të gabuara. “Diskutimi pak më ndihmoi, – tha ai, – pasi shokët diskutuan jo për gjininë që unë kam zgjedhur. Për këtë arsye mendimet e tyre shpesh ishin kontradiktore”. Indirekt ai deshi të thoshte se atë nuk e kanë kuptuar, se rruga e zgjedhur prej tij ishte e drejtë.

Raporti: Të hiqet nga Tirana, po infekton nxënësit e liceut
Mendojmë se del nevojë që rreth tablosë të diskutohet në Liceun Artistik dhe Institutin e Arteve, me qëllim që të krijohet një gjë e qartë më e madhe konceptesh te disa pedagogë e studentë që kanë një simpati të veçantë për “origjinalitetin” e shprehur te krijuesi Naxhi Bakalli. Gjithashtu mendojmë se ai nuk duhet të qëndrojë më si pedagog në Liceun Artistik, sepse sipas bisedave me disa shokë, ka filluar të ndikojë gjer në një farë shkalle negativisht te nxënësit e tij.

Diskutime të kësaj natyre duhet të organizohen në të ardhmen në punimet e tjera që ngrenë problem dhe që nuk u vunë në ekspozitë. Këto diskutime ndihmojnë për ballafaqimin e koncepteve, për zhvillimin e mendimit krijues, për të zbërthyer probleme të ndryshme që shqetësojnë artin tonë në rrugën e tij të zhvillimit, për t’u hapur perspektivë njerëzve të krijimtarisë. Natyrisht, shkalla e kësaj ndihme varet edhe nga mënyra e organizimit të diskutimeve, edhe nga orientimet e drejta të organizatorëve, edhe nga roli aktiv që duhet të luajë kryesia e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe çdo artist e kritik me partinë.
10.2.1970 R.M., I.H.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: