Kapiteni i “La Rojas”, Sergio Ramos u shfaq në zonën e përzier të stadiumit, para gazetarëve, pas fitores minimale të Spanjës ndaj Iranit:

Kupa e Botës: “Ju duhet të vlerësoni çdolloj rezultati pozitiv në Kupën e Botës, sepse këtu nuk mund të fitoni lehtë”.

Queiroz dhe dëmtimi i Salah: “Unë nuk do ta vlerësoj atë që ai tha. Jam mënjanë këtyre debateve këtu në Rusi, mendoj vetëm për Spanjën. Me rëndësi është të fitojmë dhe të ecim përpara. Edhe nëse marrim një rezultat të ngushtë, si ndaj Iranit, para së gjithash vlen arritja e qëllimit”.

Arbitrimi: “Ju nuk keni nevojë të bëni vlerësime personale të gjyqtarëve. Duhet të keni një kokë të ftohtë në kompeticione të tilla”.

Irani: “Kur ata pësuan golin e parë, tentuan të na sulmojnë. Tani është i detyruar të fitojë kundër Portugalisë. Ne do të jemi të lumtur me një fitore të tillë”.

Përmirësimi: “Çdo gjë mund të përmirësohet gjithmonë e në të gjitha aspektet. Secila ndeshje është e ndryshme dhe secili luan në një mënyrë tjetër nga ajo e mëparshmja. Na duhet pak më tepër soliditet në aspektin mbrojtës dhe të jemi më të mirë në shfrytëzimin e shanseve të krijuara, duke goditur më shumë nga jashtë zonës kundërshtare dhe duke qenë më efektivë”.

Piqué: “E përgëzova”.

Maradona: “Unë e respektoj Maradonën, sepse është një njeri i madh. Mendoj se është pak “i krisur”, por unë po ju them se cili është futbollisti argjentinas më i mirë. Edhe vetë Maradona e di se është vite-dritë larg nga numri një, Messi”.

Çfarë tha Maradona
Diego Armando Maradona, protagonist në këtë Kampionat Botëror në Rusi, jo më si trajner, por në cilësinë e komentatorit për kanalin televiziv “Telesur”, nuk iu shmanget dot debateve, madje edhe kur nuk ka të bëjë me Argjentinën e tij. Pasi më parë preferoi të marrë anën e Higuain mbi Aguero, tani Maradona ka preferuar të injorojë mbrojtësin e Spanjës dhe kapitenin e Real Madridit, Sergio Ramos, shkruan telesport.

“Kur flitet për yje… Dëgjova të thuhet një ditë më parë se Sergio Ramos është një yll. Nuk dua të debatoj, por më duhet të kundërshtoj. Jo, yll është Godin”, – deklaroi “El Pibe d’or”, duke dashur të vlerësojë me superlativa mbrojtësin e Uruguajit dhe të Atletico Madridit, pas atij starti pozitiv në Botëror. Një vlerësim që është dashur të shoqërohet me injorimin e Ramos. Por, ky i fundit ka reaguar “flakë për flakë”…

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: