Nën përkujdesjen e kryeministrit të Republikës së Kosovës në Qeveri është mbajtur manifestimi kushtuar 23 prillit – Ditës së Komunitetit Turk në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në këtë organizim të Zyrës për Çështje të Komuniteteve pranë Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, ku të pranishëm ishin ministra, deputetë dhe përfaqësues të shoqatave dhe komunitetit turk në vend, kryeministri Haradinaj para të pranishmëve deklaroi se turqit e Kosovës dhe në përgjithësi populli i Kosovës ka marrëdhënie të mira me Turqinë, siç tha, “me vëllezërit dhe motrat tona që janë atje”. Ai theksoi se këto marrëdhënie do të ruhen edhe në të ardhmen.

Duke porositur për të punuar bashkë në tejkalimin e sfidave ekonomike të vendit, Haradinaj tha se, “Sot është një ditë që tregon dhe dëshmon se kush është Kosova. Komuniteti turk i Kosovës feston ditën e vet në Kosovën e vet, në atdheun e vet. Shqiptarët dhe turqit në Kosovë nuk ndahen, janë të lidhur dhe janë bashkë. Është dëshmuar në mënyrën më të mirë të jetës sonë. Nuk ka asnjë rast që flet ndryshe”.

Në emër të komunitetit turk në Kosovë, ministri i Administratës Publike dhe kreu i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), Mahir Yagcilar, theksoi se falë pavarësisë së Kosovës sot festohet edhe 10-vjetori i Ditës së Komunitetit Turk në Kosovë.

 (e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: