TIRANE– Investimet në turizëm dhe energji kanë shënuar rritje. Këtë e tregojnë të dhënat e publikuara në studimin e fundit të Institutit të Statistikave në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë. Në botimin mbi investimet e huaja në vendin tonë, jepet më gjerësisht edhe kontributi i tyre real në punësim, eksporte, importe dhe investime.

Sipas këtij studimi, në vitin 2016 numri i ndërmarrjeve të huaja dhe të përbashkëta (bashkëpronësi e huaj dhe shqiptare) u ul me të paktën 5.1% në raport me një vit më parë; ndërsa numri i të punësuarve pësoi një rënie me 2.2 %. Por nga ana tjetër rezulton se investimet kryesisht janë përqendruar në sektorin e energjisë.

Në këtë degë investimet janë rritur me 110% në krahasim me vitin e kaluar. Kjo tregon se ndërmarrjet e mëdha kane vijuar të investojnë në vend. Numri i ndërmarrjeve që kane pësuar rënien më të madhe janë të vogla e të mesme.

Po kështu, në aktivitetet e turizmit, hotele dhe restorante, ka pasur rritje si në punësim me 27%, ashtu edhe në xhiro me 13%. Nga ana tjetër në të njëjtat vite, 2016-2017, numri i përgjithshëm i ndërmarrjeve në vend është rritur me 5.5% dhe i xhiros me 4.4%. Kjo së bashku me rritjen e punësimit dhe GDP tregon se aktiviteti ekonomik në vend vijon me rritje.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb