NGA ORNELA MANJANI

TIRANE– Numri i ndërmarrjeve ekonomike aktive për vitin 2015 ishte 104.534 duke u rritur me 22,7% krahasuar me vitin 2014. Sipas aktivitetit ekonomik, ndërmarrjet që operojnë në sektorin e tregtisë zënë 43,1%. Lajmi u dha në publikimin e rezultateve të anketës strukturorë të INSTAT. Shtimi i bizneseve të reja, të cilat më vonë në 2016 thuajse kanë kaluar në regjistrin pasiv u nxit nga aksioni i anti-informalitet. Nga ky aksion u nxit edhe formalizimi i vendeve të punës. Rreth 64 mijë persona që punonin në të zezë u regjistruan në organet fiskale. Të dhënat janë pjesë e anketës strukturore të ndërmarrjeve realizuar nga INSTAT.

ANALIZA

Nga analiza e ndërmarrjeve sipas madhësisë rezulton se ndërmarrjet me 1-4 të punësuar mbizotërojnë me 89,3%, ku prodhuesit e shërbimeve zënë 80,3%. Në vitin 2015, numri i të punësuarve gjithsej është rritur me 64.550 të punësuar ose 17,4% krahasuar me 2014. Prodhuesit e shërbimeve kanë kontribuar me +13,2 p.p, ndërkaq prodhuesit e të mirave kanë kontribuar me +4,2 p.p. Shitjet neto në 2015 arritën vlerën 1.802 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 3,6% ndaj vitit 2014. Shitjet e realizuara nga prodhuesit e shërbimeve për 2015 përbëjnë 66,0% të shitjeve gjithsej dhe kontribuojnë me +1,9 p.p në rritjen vjetore të këtij treguesi.

Sipas INSTAT, investimet u rritën me 14,9% në vitin 2015, ku investimet nga ndërmarrjet rezultuan në 208 miliardë lekë, në krahasim me 181 miliardë lekë në 2014. Ndryshe nga treguesit e tjerë, prodhuesit e të mirave zënë pjesën më të madhe të investimeve të realizuara, duke përbërë 61,8% të investimeve gjithsej për 2015. Rezultatet e Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve shprehin se shitjet neto për të punësuar për vitin 2015 kanë pësuar rënie me 11,7%, si rezultat i rritjes së numrit të të punësuarve (17,4%) me një ritëm më të lartë se shitjet neto (3.6%).

Situata paraqitet e njëjtë për prodhuesit e të mirave dhe shërbimeve, ku shitjet neto për të punësuar patën rënie përkatësisht me 5,8% dhe 14,9%. Rënia e këtij treguesi rezultoi nga ritmi më i lartë i rritjes së punësimit në prodhuesit e të mirave dhe shërbimeve (përkatësisht 11,4% dhe 21,0%) përkundrejt rritjes së shitjeve neto (me 5,0% dhe 2,9%).

PRODHIMI

Prodhimi është aktivitet i ushtruar nën kontrollin dhe përgjegjësinë e një ndërmarrjeje, që kombinon burimet në fuqi punëtore, kapital dhe produkte e shërbime për të prodhuar produkte ose kryer shërbime. Për të studiuar efektivitetin e fuqisë punëtore tek ky aktivitet, llogaritet vlera e prodhimit për të punësuar. Ky tregues për 2015 është 2.550 mijë lekë për të punësuar nga 2.793 mijë lekë për të punësuar në 2014. Vlera e prodhimit për të punësuar është më e lartë tek prodhuesit e të mirave (3.908 mijë lekë për të punësuar) në krahasim me prodhuesit e shërbimeve (1.809 mijë lekë për të punësuar).

Ndër treguesit makroekonomikë të llogaritur është edhe vlera mesatare e investimeve të kryera për ndërmarrje. Ky tregues është ulur me 6,4% në 2015 krahasuar me 2014. Pjesa më e madhe e ndërmarrjeve, 87,3%, operojnë në aktivitetet e shërbimeve dhe kryesisht në sektorin e tregtisë (ku përfshihen, tregtia me shumicë dhe pakicë dhe riparimi i automjeteve). Në tregti operojnë 43,1% e ndërmarrjeve, të cilat përbëjnë 48,3% të shitjeve neto gjithsej të vitit. Sektori i tregtisë kontribuoi me +0,1 p.p në rritjen vjetore prej 3,6% të shitjeve neto.

Të punësuarit në tregti zënë 25,7% të numrit të të punësuarve gjithsej. Në tregti është investuar vetëm 13,3% e vlerës gjithsej të investimeve të kryera në të gjitha aktivitetet ekonomike të mbuluara nga vrojtimi. Shitjet neto në sektorin e shërbimeve të tjera (arsimi dhe shëndetësia private, shërbime administrative, profesionale, shkencore dhe teknike, etj.) janë rritur 19,6% krahasuar me një vit më parë. Ky sektor ka shënuar rritjen më të lartë të të gjithë treguesve kryesorë për prodhuesit e shërbimeve. Investimet rezultojnë me rritje për të gjithë sektorët e shërbimeve, ndryshe nga viti i kaluar, ku rezultonin me rënie.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: