Pas publikimit të raportit të plotë për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit në Shqipëri nga ana e OSBE-ODIHR, ka reaguar deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Klajda Gjosha.

Në një status në Facebook, ish-ministrja e Integrimit, e ka ballafaquar këtë raport me fjalët e kryeministrit Edi Rama se këto ishin zgjedhjet më të mira që ka pasur vendi, ndërkohë ku në raport thuhej se problem për t’u zgjidhur është “shitblerja e votës”.

“Sapo është bërë publik raporti i OSBE-ODHIR për Zgjedhjet e Qershorit 2017. Nuk e di sa vënd ka tek dëgjuam Kryeministrin për të vrapuar dhe për të na treguar se këto ishin zgjedhjet më të mira që ka pasur Shqipëria. Nuk e di të qash apo të qeshësh!,” shkruan Gjosha.

Deputetja e LSI-së gjithashtu shkruan se rekomandimet e paraqitura në raport për të përmirësuar zgjedhjet janë të pafundme, gjë që sipas do të thotë se ato nuk kanë shkuar si duhet.

“Lexoja mes rreshtave të raportit por gjithçka rrotullohej mes parregullsive në zgjedhje, rekomandimeve te pafundme për gjetjen e një mekanizmi për parandalimin e shitblerjes së votës si dhe marrjen e masave për të ndaluar presionin e jashtëzakonshëm që i është bërë administratës publike për votën e lirë!

27 Vite Demokraci dhe qytetarët shqiptarë ende janë në përpjekjet e tyre për të votuar të lirë, në përpjekjet e tyre që ankandi i votës të mos marrë më peng jetën e fëmijëve të tyre. Po fatkeqësisht cfarë do lloj reforme zgjedhore të ndërmarrim ne, do të duhej më parë të ndryshonim mentalitetin politik i cili mendon se paraja mund të blej cdo gjë, se presioni që vjen si koncept diktatorial nuk shkon më ne Shqipërinë europiane te 2017-tës!

Mesa duket mentalitetet nuk ndryshokan as me Marrëveshjet e Errësirës që gjoja do t’i jepnin Shqipërisë një standard tjetër!” shkruan Gjosha.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb