Numri i gazetarëve të burgosur ka arritur numër rekord për të dytin vit radhazi, thuhet në raportin vjetor të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ) të publikuar sot.

“Deri në 1 dhjetor të këtij viti, 262 gazetarë përreth botës janë burgosur për arsye që lidhen me punën e tyre, krahasuar me 259 që ishin vitin e kaluar”, sipas këtij raporti.

Turqia është sërish në vend të parë, me 73 gazetarë në burg, për punën e tyre, ndërkohë që vendi vazhdon të shtypë lirinë e medias.

“Në vend të dytë dhe të tretë janë Kina me 41 raste dhe Egjipti me 20”, sipas regjistrimeve të CPJ-së.

Këto tre vende përbëjnë më shumë se gjysmën e numrit të përgjithshëm të gazetarëve të burgosur në listë.

“Vendet që burgosin gazetarët, për çfarë ata publikojnë, po shkelin ligjet ndërkombëtare dhe duhet të mbahen përgjegjës”, deklaroi Joel Simon, drejtori i përgjithshëm i CPJ-së.

“Fakti që qeveritë represive nuk po paguajnë një kosto që kanë burgosur gazetarët, përbën një dështim për komunitetin ndërkombëtar”, vazhdoi ai.

Vendet të tjera që kanë një numër të lartë gazetarësh të burgosur për vitin 2017 janë Eritreja, me 15 raste, Azerbajxhani dhe Vietnami me 10 raste secili.

Ky raport tregon se 74 për qind e gazetarëve janë burgosur me akuzën se janë kundër shtetit, ku në shumicën e rasteve janë përdorur ligjet kundër terrorizmit, në mënyrë të përgjithshme ose të mjegullt.

Më të rrezikuarit janë reporterët politikë, që përbëjnë 87 për qind të atyre që janë të burgosur dhe gati të gjithë gazetarët e burgosur në listë janë vendas.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb