FRANCË- Koalicioni i përbashkët mes socialistëve të Francois Hollande dhe republikanëve të Nicolas Sarkozy duket se ka funksionuar. Sipas exit poll-eve të para, Fronti Kombëtar i Marine Le Pen është mundur në të gjithë rajonet në raundin e dytë të zgjedhjeve administrative në Francë. Por megjithatë ndikimi i saj është rritur, nga 2010 me 7 pikë.

Sipas mediave lokale, 5 rajone janë marrë nga republikanët dhe 5 të tjera nga socialistët. Ndërkohë që janë ‘dhëmb më dhëmb’ në 3 lokalitete të tjera.

Xavier Bertrand i republikanëve ka fituar zgjedhjet në rajonin Nord Pas të Calais-Picardie me 57,70% të votave kundrejt 42,30% që ka marrë Marine Le Pen.

Bertrand ka falënderuar të gjithë ata që e votuan përfshirë edhe zgjedhësit e majtë që bashkuan votat kundër ekstremit të djathtë. “Nuk është fitorja ime, nuk është një fitore politike, është fitore e njerëzve”, tha ai.

Ndërkohë në Frontin Kombëtar nuk ka asnjë reagim. Edhe për mbesën e Marine Le Pen, Marion raundi i dytë i zgjedhjeve ka shkuar keq. Rajonin Provence-Alpes-Cote d’Azur, e ka marrë kandidati konservator Christian Estrosi, republikan, i cili ka fituar me 53,5% kundër 46,5% që ka marrë Marion Marechal Le Pen.

Nuk ka lajme më të mira për Frontin Kombëtar as në rajonin Alsazia-Champagne-Ardenne-Lorena, ku kandidati i republikanëve Philippe Richert ka fituar. Ai ka marrë 47,6% të votave kundrejt 36,6% që ka marrë kandidati lepenist Florian Philippot. Më pak se 16% të votave për Jean-Pierre Masseret, kandidati i tretë i socialistëve që refuzoi të tërhiqej nga gara për të favorizuar fitoren e së djathtës së moderuar, pra të republikanëve.

Fitorja e mundshme e Le Pen, po pritej me shqetësim, pasi ajo njihet për politikën e saj ekstreme. Ajo është kundër emigrantëve dhe pro dënimit me vdekje.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb