TIRANE– Gazeta zyrtare e Partisë Demokratike, “Rilindja Demokratike”, editorialin e sotëm është marrë me parcelizimin e protestës, me titull “pagatorët e Ramës”.

Pa përmendur emra, në shkrimin që mban emrin e drejtuesit të kësaj gazete thuhet se, ndonjë që po zvarritet me mundim dhe imponim tek sheshi i protestës, duke vënë kushte dhe ultimatume, se e mbështesin protestën “vetëm nëse nuk afrohet dikushi”, po mundohet ta personalizojë atë.

Këta individë, shkruan “Rilindja Demokratike” e shohin protestën si parcelë të ndarjes së pushtetit nesër dhe po bëjnë llogari.

“Këta individë vijnë aty si korrierë të pushtetit për të bërë diversion me kalkulimet politike që bën Rama. Mos i shikoni si opozitarë. Janë zvarranikë të paguar me honorare të majme nga pushteti”, thuhet në editorial.

Megjithëse nuk përmendet në asnjë rresht të editorialit, qartazi “Rilindja Demokratike” i referohet qëndrimit të mbajtur nga deputetja Majlinda Bregu, e cila shkoi në protestën që po mbahet para Kryeministrisë dhe shprehu mendimin e saj kundër bojkotimit të zgjedhjeve.

“Mos duhet që për hir të interesave personale të këtyre paçavureve që kërkojnë të shesin moral, ne u dashka të çensurojmë ish­ministrin e Drejtësisë, Manjani për opozitarizmin ndaj Ramës dhe që është më i madh në kontribut dhe përballje sa i të gjithë këtyre matrapazëve që shfaqen me kostumin e opozitarizmit, kur në fakt natën e kalojnë me qentë e pushtetit me të cilët ndajnë favoret, ndërsa në mëngjes zgjohen me pleshtat e tyre për t’i hedhur tek sheshi i protestës?”, thotë editoriali.

Ata, shkruan më tej “Rilindja Demokratike”, që vijnë në atë shesh të rezistencës të porositur dhe bëjnë deklarata për parcelizim të protestës, duhet të kuptohet se nuk janë të lirë.

“Ata janë të marrë peng nga interesat e pushtetit dhe për çdo deklaratë që lëshojnë kanë nga pas tendera e allishverishe të tjera. Ata janë veç pagatorë të mjerë të Ramës që majmen me vuajtjet e një populli opozitar”, vijon editoriali i “RD”.

basha-tek-cadra-696x464

PAGATORET E RAMES

Bledi KASMI
Ndonjë që po zvarritet me mundim dhe imponim tek sheshi i protestës, duke vënë kushte dhe ultimatume, se e mbështesin protestën “vetëm nëse nuk afrohet dikushi”, po mundohen ta personalizojnë atë. Këtyre individëve që numërohen me kokrrat e njërës dorë nuk i intereson protesta. Ata e shohin protestën si parcelë të ndarjes së pushtetit nesër dhe po bëjnë llogari.

Këta individë vijnë aty si korrierë të pushtetit për të bërë diversion me kalkulimet politike që bën Rama. Mos i shikoni si opozitarë. Janë zvarranikë të paguar me honorare të majme nga pushteti.
Halli i tyre është Rama dhe jo kauza e protestës, sepse po të ishte kauza e protestës shqetësimi i tyre, atëhere do ta kishin kuptuar se çështje e zgjedhjeve të lira dhe beteja me bandën kriminale në pushtet nuk është luks dhe nuk duhet të përjashtohet askush që rreshtohet në këtë anë të barrikadës në këtë moment.

Duhet bërë e qartë se kjo betejë për zgjedhje të lira dhe largim të organizatës kriminale nuk është vetëm e opozitës. Ajo e ka tejkaluar opozitën dhe ky është suksesi më i madh i saj. Ajo është betejë e të gjithë shoqërisë dhe bashkimi me opozitën edhe i të majtëve që e gjejnë veten në këtë Lëvizje Popullore është i mirëpritur.

Çfarë duhet bërë me ata ish deputetë socialistë si Harasani që e kanë mbështetur pa pasur asnjë interes? Mos vallë për shkak të pazareve të këtyre paçavureve që i afrohen protestës, duke pasur hall tenderat e pushtetit do të duhet ta dënonim për mesazhin që lëshoi ditën e 18 shkurtit, kur këta u zhdukën si minj dhe ai tha se nuk duhet ta ndalim protestën deri në largimin e qeverisë?

Mos vallë duhet të shpallim armik të protestës ish-deputetin e PS, Pëllumb Shullazi, që i doli kundër Ramës dhe iu bashkua protestës që ditën e parë në çadrën e qëndresës vetëm, sepse ai kërkon si ne të gjithë dorëheqjen e kreut të organizatës kriminale?

Mos duhet ta linçojmë ish-kandidatin e Ramës për deputet që kandidoi përballë Berishës në Kavajë, tenorin Agim Hushi vetëm se ai sonte protestoi bashkë me Lulzim Bashën?

Mos duhet që për hir të interesave personale të këtyre paçavureve që kërkojnë të shesin moral, ne u dashka të çensurojmë ish-ministrin e Drejtësisë, Manjani për opozitarizmin ndaj Ramës dhe që është më i madh në kontribut dhe përballje sa i të gjithë këtyre matrapazëve që shfaqen me kostumin e opozitarizmit kur në fakt natën e kalojnë me qentë e pushtetit me të cilët ndajnë favoret, ndërsa në mëngjes zgjohen me pleshtat e tyre për t’i hedhur tek sheshi i protestës?

Po ndodh një bashkim popullor përtej opozitarizmit. Ata që vijnë në atë shesh të rezistencës dhe të porositur bëjnë deklarime për parcelizim të protestës, duhet të kuptohet se ata nuk janë të lirë. Ata janë të marrë peng nga interesat e pushtetit dhe për çdo deklaratë që lëshojnë kanë nga pas tendera e allishverishe të tjera. Ata janë veç pagatorë të mjerë të Ramës që majmen me vuajtjet e një populli opozitar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: